Ali Ahmeti: Pas këtyre zgjedhjeve nuk jemi euforik, prioritet është sesi do zhvillohen gjërat tash e tutje

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në emisionin 200 në Alsat-M edhe një herë ka qartësuar se do ndjehej keq nëse nuk i kishte shfaqur qëndrimet e BDI-së, ku siç tha, ka dalë hapur për bashkimin e iniciativave të reja që shqiptarët të mos humbin mandate.

“BDI është një parti shumë e organizuar dhe e etabluar dhe gjërat me urtësi e mençuri analizohen. Ndodhën rrethana të padëshirueshme dhe në BDI u bë shkarkimi i 12 funksionarëve me mirëkuptimin më të madh me qëllim që t’i shërbejnë forcimit të BDI-së. Edhe pas këtyre zgjedhjeve nuk jemi euforik, nuk e shndërrojmë këtë situatë për të bërë konflikt brenda BDI-së. BDI analizon situatën duke filluar nga këshillat vendor deri te degët… Sigurisht që ndryshime përherë ka pasur në BDI do ketë edhe në të ardhmen…Prioritet është sesi do zhvillohen gjërat tash e tutje”, ka thënë Ahmeti në intervistë.

Lideri i BDI-së ka folur edhe për takimin me liderët e partive politike shqiptare, ku munguan dy partitë tjera si PDSH dhe Besa.

“Më vjen keq që nuk morën pjesë dy parti tjera dhe kam konsideratë për analizat që bëjnë si subjekte. Të koalicionit ‘Rilindje me Besë’ më premtuan se do i përgjigjen takimit të përbashkët dhe pasuan disa komunikata që nuk është në dobi të tyre. Nuk e kam bërë ftesën për të bërë politikë që partitë shqiptare të ulen në tavolinë që të zënë vend në ekranet televizive apo të jenë aktual në mediat e shkruara apo elektronike, e kam bërë me sinqeritet për t’u bërë bashkë. Nuk ka ndonjë arsye për të qenë të ndarë…”, ka thënë Ahmeti në emisionin 200 në Alsat-M.

Sipas tij, në takimin e radhës do nënshkruhet një memorandum i përbashkët.

“Dera është mbetur e hapur edhe për partitë tjera, nuk është mbyllur, por edhe nuk mund të ushtrojmë ndikimet tona, sepse fundja ata kanë autonominë e tyre”, ka thënë Ahmeti.

Madje, lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka shtuar se nuk mund të flasë për preferenca sa i takon koalicionimit në të ardhmen.

“BDI nuk negocion as me njërën e as me tjetrën palë. Pra, zyrtarisht nuk ka negociata as me njërën e as me tjetrën pale nga partitë maqedonase. BDI ka fituar zgjedhjet përballë shumë partive. BDI po bën strategji sesi të përballet me të ardhmen”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq, në pyetjen nëse vendi mund të mbetet pa qeveri, ai përgjigjet se “kjo do ishte zgjidhja më e keqe që vendi të shkojë në këtë drejtim”.

“Nuk bëjmë tifo as për VMRO-në dhe nuk bëjmë tifo as për LSDM-në. Do shohim vulletin e shumicës shqiptare, do shohim memorandumin me partitë që kemi filliuar bisedimet, është herët të flitet tani dhe do ketë nje proces negocimi. Nuk duam të jem i vrazhdë, BDI nuk negocion as me njërën e as me tjetrën palë. Pra, zyrtarisht nuk ka negociata as me njërën e as me tjetrën palë. BDI ka fituar zgjedhjet përballë shumë partive. BDI po bën strategji sesi të përballet me të ardhmen”, ka thënë Ahmeti.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në fund tha se në zgjedhjet e ardhshme lokale në maj 2017, “BDI përsëri hyn si fitimitare, ne kemi fituar zgjedhjet, nuk jemi humbës, në zgjedhjet lokale do jemi më të organizuar dhe shumë më konkurrentë përballë të tjerëve.

“Unë jam në politikë qe 30 vite, jo qe 15 vite. Unë vlerësoj se jam këtu se mund të kontribuojë për shqiptarët, për BDI-në, por ma shumë për shqiptarët”, ka thënë në fund të intervistës Ali Ahmeti, lider i BDI-së.