Alimi dhe Grubi nisin fushatën nga muzeu i luftës së UÇK-së

Bashkimi Demokratik për Integrim filloi zyrtarisht fushatën zgjedhore në Shkup, ku bartësit e listës për Njesitë 1 dhe 2, Artan Grubi dhe Ejup Alimi vizituan Muzeun E Lirisë, të njohur si Muze i Luftës së UÇK-së.

Fushatën Bashkimi Demokratik për Integrim e filloi nga Muzeu I Lirisë, pasi, siç thanë edhe kandidatët e këtyre dy njesive, duhet rikujtuar se nuk janë harruar idealet e nisura nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare, dhe se çka është filluar si UÇK, do të vazhdohet nga BDI-ja në Kuvendin e Maqedonisë.

“Zanafilla e BDI-së është Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe merita e UÇK-së është çdo e arritur e shqiptarve në Republikën e Maqedonisë. Ne si deputet të ardhshëm në Kuvendin e Maqedonisë do të vijojmë punën e nisur nga lufta e lavdishme e UÇK-së, e transferuar më pastaj në veprat e BDI-së dhe kryetarit Ali Ahmeti dhe nëpërmjet aktivitetit tonë të përbashkët besoj se do ja arrijmë qëllimit të përbashkët, barabarsisë së plotë në çdo aspekt të veprimit shoqëror politik”, tha bartësi I listës në Njesinë 1, Artan Grubi.

Fjalë rasti pati edhe bartësi i listës së BDI-së për Njesinë numër 2 Ejup Alimi I cili para të pranishëmve ritheksoi rëndësinë e nisjes së fushatës pikërisht nga ky muze.

“Këtu është baza që duhet të mësojmë edhe për gjeneratat e ardhshme, që të mos harrojmë të kaluarën dhe të ndërtojmë të ardhmne. Muzeu I UÇK-së përmban në vete shënime historike të shqiptarëve. Ne si bartës të listës zgjedhore numër 2 dhe kolegët e zonës 1 fillojmë nga baza e cila është bazë e shqiptarve në përgjithsi në Republikën e Maqedonisë”, u shpreh Alimi.

Kandidatët e Zonës i takuan edhe Baki Halimi, drejtor I muzeut, I cili falënderoi ata për interesimin e jashtëzakonshëm.

Më pas, kandidatët zhvilluan vizitë joformale nëpër Çarshinë e Vjetër ku zhvilluan biseda rasti me qytetarë dhe esnafin.