Alimi: Vendosja konsensuale do të mbrojë interesat ekonomike të shqiptarëve

Konsensusi gjatë vendimmarrjes në Qeveri, para së gjithash zbatimi i politikave ekonomike, do të sigurojë mbrojtje të interesave ekonomikë dhe përmbushje të të drejtave ekonomike të Shqiptarëve. Kështu deklaroi bartësi i listës për njesinë zgjedhore 2, z. Ejup Alimi në Konferencën Qendrore Ekonomike për promovimin e Përbetimit qendror të Programit të BDI-së: Zhvillimi dhe Barazia Ekonomike, e cila u mbajt sot në Shkup.
Parimi i konsensusit, tha mes tjerash z. Alimi, sidomos konsensusit mbi çështjet ekonomike, do të sjellë deri në faktorizim edhe më të fuqishëm të partnerit shqiptar në qeverinë e ardhshme.
“Me zbatimin dhe përmbushjen e njërit nga pesë Përbetimet e programit të BDI-së – atë të konsensusit gjatë krijimit dhe zbatimit të të gjitha politikave ekonomike të qeverisë së ardhshme, do të sigurohet ndikim më i madh i partnerit shqiptar në Qeveri. Me anë të kontrollit të përpilimit dhe zbatimit të Buxhetit, BDI-ja do të sigurojë zhvillim të barabartë dhe zbatim të interesave ekonomike të Shqiptarëve. Kjo do të thotë zhvillim më i madh i rajonit veriperëndimor, më shumë punësime për Shqiptarët, paga më të larta, më shumë punë për bizneset shqiptare, kushte më të mira për zhvillim të sipërmarrësisë dhe në përgjithësi, standard jetësor më i lartë për Shqiptarët. Në këtë mënyrë, më së miri do të përmbushet “Përbetimi” më i rëndësishëm i BDI-së: Zhvillimi dhe barazia ekonomike”, u shpreh z. Alimi.
Për më tej, z. Alimi tha mes tjerash se përmes konsensusit në vendimarrje, do të sigurohet zhvillim më i madh rajonal në Maqedoninë perëndimore dhe në vendet e tjera ku banojnë shqiptarë. Konsensusi në vendimarrje gjithashtu do të sigurojë më shumë vende pune, ngritje të pagave për shqiptarët, klimë të mirë për bizneset dhe sipërmarrësit, duke ndikuar drejtpërdrejt në standard më të mirë për qytetarët e Maqedonisë.