Alsat M: “Mediat”, ekspertët dhe ndërkombëtarët kërkojnë reforma urgjente

 

Mediat të jenë kujdestarë në shoqëri. Vetë-rregullimi do të ndihmojë në kthimin e etikës, integritetit dhe edukimit mediatik, porositën njëzëri euro-ambasadori, Samuel Zhbogar dhe kryetarja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Somalainen.

Vetëm etika dhe integriteti të inkorporuar në hapa praktike mund të na ndihmojnë të mbrohemi dhe përsëri t’i arrijmë vlerat demokratike kur janë nën kërcënim. Roli i mediave, që konsiderohet të jenë këshilltarë i popullit është esencial në këtë kuptim – tha Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së.

Edukimi mediatik i mediave digjitale është një nga mënyrat se si të shmangen lajmet e rrejshme. Vetë-rregullimi i mediave mund të jetë zgjidhje, duke pasur parasysh se ndihmon të rritet gazetaria etike e orientuar kah e vërteta – u shpreh Nina Somalainen, kreu i misionit të OSBE-së në Shkup.

Anëtari i Komisionit për ankesa, Sefer Tahiri tha se ngjarjet e fundit në vend dëshmuan edhe një herë se mediat janë nën diktat të pushtetit në largim. Andaj sipas Tahirit, reformimi i të njëjtave është i domosdoshëm.

Mediat në Maqedoni nuk janë në shërbim të opinionit publik, pra një pjesë e tyre nuk janë në shërbim të qytetarëve, por janë në shërbim të agjendave politike ose agjendës së pushtetit. Së këndejmi konstatojmë se është e nevojshme që të bëhet një reformë institucionale-legjislative dhe një reformë e përgjithshme e sektorit mediatik që do ta sjellë në binarë normal sektorin mediatik dhe gazetarinë – deklaroi Sefer Tahiri, anëtar i Komisionit për ankesa.

Zëvendës-kryeredaktori i Tv Alsat-M, Isuf Kadriu ftoi mediat në transparencë dhe vetë-rregullim, në mënyrë që të jenë sa më pranë qytetarëve dhe sa më larg ndikimeve politike apo interesit eventual biznesor. Kadriu kujtoi se pikërisht për shkak të interesit të qytetarëve dhe interesit shtetëror, Alsat M vetëm raportoi atë çfarë ndodhte më 27 prill kur protestuesit po hynin me dhunë në Kuvend, derisa shumë media zgjodhën të analizonin.

Anesa Aliti

“Mediat”, ekspertët dhe ndërkombëtarët kërkojnë reforma urgjente