Alternativat post-zgjedhore në Maqedoni

Në 11 dhjetor, Maqedonia mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas një krize politike të zgjatur. Këto zgjedhje shiheshin gjerësisht si mundësi për ti dhënë fund krizës politike në vend.

Mirëpo rezultati i zbardhur nga kutitë e votimit në të gdhirë të datës 12, nuk e ka qartësuar aspak rebusin politik, duke lënë pak hapsirë për shpresa të mëdha.

Sipas rezultateve zyrtare, VMRO-DPMNE, partia e Nikola Gruevskit që ka qeverisur vendin për një dekadë ka arritur një fitore minimale, duke marrë 38,12% të votave, e përkthyer në 52 vende në parlamentin 120 vendësh. Ndërsa LSDM, socialdemokratët e opozitës të udhëhequr nga Zoran Zaev kanë arritur një rezultat të mirë elektoral prej 36,6% të votave, e përkthyer në 49 mandate, por i pamjaftueshëm për të siguruar fitoren.

Interesante paraqitet situata në kampin e partive shqiptare: BDI e Ali Ahmetit duket se ka paguar kostot e bashkëqeverisjes së korruptuar dhe autoritare me Grueskin, duke pësuar një humbje të thellë, duke siguruar vetëm 7,29% të votave ose 10 mandate, nga 19 të tillë që mori në zgjedhjet e vitit 2014. Gjithashtu, edhe PDSH e Menduh Thaçit ka pësuar rënie, duke marrë vetëm 2 mandate nga 6 në vitin 2014. Nuk ka qenë surprizë po të kihet parasysh situata e shqiptarëve nën drejtimin e liderëve të konsumuar politikë si Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, rezultati i marrë nga BESA, formacion i ri politik, e cila ka siguruar 5 mandate, ndërsa Aleanca për Shqiptarët ka siguruar 3 mandate.

Zgjedhjet nuk kanë siguruar zgjidhje!

Duket sikur demokracia ka rënë sepse një nga shtyllat kryesore të një demokracie janë zgjedhjet politike si mjet zgjidhje në rast krizash dhe mjet rrotativ në rast pakënaqësish ndaj forcave qeverisëse. Në fakt, po të merret në konsideratë terreni politik në Maqedoni, demokracia ka pak gjasa të ringrihet.

Nikolla Gruevski do ta ketë të vështirë të ndërtojë një qeveri të re. BDI e Ali Ahmetit, paterica e vjetër e pushtetit të Gruevskit është tkurrur. Bashkë me BDI, VMRO-DPMNE do të ndërtonte një qeveri të re që i rri ngushtë rezultatit elektoral. Por ka pak gjasa që BDI ti bashkohet në një koalicion të përsëritur Gruevskit.

Së pari, sepse do të ishte vetëvrasje për BDI që të mos reflektonte rezultatin e zgjedhjeve. Aq më pak kur vendi do të shkojë në zgjedhje vendore në 2017.

Së dyti, Gruevski është diskredituar si lider politik dhe për rrjedhojë ta mbaje në pushtet qoftë edhe për pak kohë, do të ishte vetëvrasje politike.

Së treti, faktorët relevantë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE e duan jashtë Gruevskin. Duke ditur influencën e tyre politike jo vetëm BDI, por edhe çdo parti tjetër shqiptare do të këshillohej të mos bëhej patericë e pushtetit të Gruevskit.

A do ti bashkohen partitë shqiptare opozitës së Zaevit për të ndërtuar një qeveri të re? Kjo është një mundësi. Gjegjësisht, kjo është një mundësi për shqiptarët që të rrisin influencën e tyre në qeverinë e re, me kërkesa dhe kushte eksplicite për ti dhënë fund diskriminimit të shqiptarëve dhe forcimit të rolit të tyre brenda shtetit Maqedonas. Në këto zgjedhje LSMD i ka gërryer partitë shqiptare, ç’ka tregon se shqiptarët më shumë besim kanë pasur tek Zaevi se sa tek liderët e tyre. Gjithsesi, zaret janë hedhur. Bashkëpunimi LSDM me partitë shqiptare mbetet një mundësi.

Një koalicion i madh!

Asgjë e re nga fronti, do të thoshte Remark. Kjo do të ishte përsëri një zgjidhje momentale për të shkuar në zgjedhje të reja të njëkohshme edhe vendore edhe qendrore në vitin 2017. Një qeveri me bazë të gjerë, do krijonte premise për stabilitet të përkohshëm, por jo avancim. Siç ka ndodhur edhe me qeverinë teknike të shkuar, palët më shumë do të punonin për të minuar njëri-tjetrin sesa për të avancuar reformat e domosdoshme për vendin.

Shqiptarët do të ishin humbësit e mëdhenj nën një qeveri të madhe. Roli i tyre do të zbehej, ç’ka do të sillte për rrjedhim njëfarë getoizimi të tyre. Kjo nuk do ti shërbente aspak stabilitetit dhe forcimit të shtetit maqedonas, pasi shqiptarët janë njësi shtet-formuese aty.

Për ta mbyllur: Rezultati i zgjedhjeve imponon bashkëpunim politik të gjerë, me një duzinë reformash në tavolinë. Nëse klasa politike në Shkup nuk gjen gjuhën e përbashkët për të ecur përpara në drejtim të BE-së dhe NATO-s, Maqedonia mund të kthehet në një kuti pandore në Ballkan nën hijen e përplasjes gjeo-politike Perëndim-Rusi.

Nga Altin GJETA