Amerika dhe Gjermania s’i përkrahin zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

Zyrtarë të ambasadave amerikane dhe gjermane janë kundër organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Ata kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se nëpërmjet zgjedhjeve të reja Kosova do të humbte kohë dhe para ndonëse, siç thonë ata, nuk dihet nëse zgjedhjet do të ndryshonin diçka thelbësore në vend. Në anën tjetër, të mërkurën e ardhshme është caktuar seanca e Kuvendit për votëbesimin e Qeverisë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Amerika dhe Gjermania nuk e përkrahin iniciativën e disa subjekteve politike parlamentare që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia opozitare “Nisma për Kosovën” ka arritur t’i sigurojë mbi 40 nënshkrime të deputetëve, të cilat i ka dorëzuar dje në Kuvend, për mocionin e votëbesimit të Qeverisë.

Menjëherë pas kësaj kryesia e Kuvendit ka vendosur që të mërkurën, më 10 maj 2017, të mbahet seanca për votëbesimin e Qeverisë.

Përpos deputetëve nga tri partitë opozitare, mocionin e opozitës e kanë mbështetur edhe disa deputetë të partnerit të madh të koalicionit (PDK), si dhe disa ligjvënës nga radhët e minoriteve, por edhe të pavarur.