AMETI: “JUGOHROM” TA PËRSHPEJTOJË VENDOSJEN E FILTRAVE

Ministri i Ambientit të Jetesës Bashkim Ameti sot i bëri thirrje udhëheqësisë të kombinatit “Jugohrom” nga Jegunovci që ta përshpejtojë procesin e vendosjes së filtrave, me çka do të plotësohen kushtet që ky kapacitet prodhues sërish të fillojë me punë. “Udhëheqësia e kombinatit duhet më intensivisht dhe më së shpejti të punojë në vendosjen e filtrave që të mund kombinati të punojë dhe të punësuarit të kthehen në vendet e tyre të punës. E inkurajoj udhëheqësinë e kombinatit të gjejnë zgjidhje për kërkesën e të punësuarve deri në vendosjen e filtrave”, tha Ameti në konferencë për shtyp. Më 2 nëntor “Jugohrom” veproi sipas vendimit të Inspektoratit shtetëror për ambient të jetesës, i cili solli vendim që kombinati t’i shkyç të gjitha furrat për shkak të mosrespektimit të afatit të fundit për vendosjen e filtrave në oxhaqe, i cili skadoi në fund të muajit të kaluar. Ministri Ademi tha se plotësisht i kupton kërkesat dhe vuajtjet e të punësuarve nga “Jugohroni” të cilët sot protestuan në Shkup, me kërkesë për ristartimin e kombinatit, dhe shtoi se që në fillim kanë potencuar se nuk ka qenë lehtë të merret vendimi për mbylljen e kombinatit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ministri Ademi tha se vendimi për mbylljen e kombinatit, ka qenë masë konkrete që të zvogëlohet niveli i ndotjes së ajrit në Tetovë.  “Kjo situatë është rezultat i mosazhurnimit të udhëheqësisë së ‘Jugohrom’-it, dhe për fat të keq tani pësojnë të punësuarit”, tha Ameti, duke theksuar se që të mund kombinati sërish të punojë duhet të vendosen filtrat. Për ndotjen në Shkup dhe nëq ytetet tjera, sipas Ametit, Ministria resore ka dërguar rekomandime deri te komunat dhe apele të drejtpërdrejta deri te qytetarët. I pyetur pse nuk i qaset të ashtuquajturave masa të jopopullarizuara, ministri Ameti u përgjigj se kjo do të duhej të jetë multiresore dhe se Ministria e Ambientit të Jetesës nuk mund të ketë raport të tillë ndaj qytetarëve. Qeveria, tha ai, bën përpjekje që të përmirësohet gjendja. “Analizat mund të shihen, shumë qytete janë të ndotura. Në këtë periudhë disa qytete janë më kritike, por analizat tregojnë se ‘Jugohrom’ është një nga ndotësit më të mëdhenj në Tetovë”, tha ministri Ameti.