Ameti: Për ne, shëndeti i qytetarëve të Pollogut është më i rëndësishëm (Video)

Sot, Inspektorati i Ministrisë së ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor ka dorëzuar zyrtarisht në kombinatin ”Jugohrom”, kërkesën që del nga vendimi për respektimin e vendimit për ndalimin e punës së kombinatit, deri në plotësimin e standardeve ekologjike, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në lidhje me këtë, ministri i ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Bashkim Ameti, së bashku me zv. kryeministrin Festim Halili, kanë vizituar komunën e Tetovës, ku janë takuar me kryetaren e komunës, Teuta Arifi, për t’i kumtuar rreth vendimit.

Me këtë rast, ministri Ameti sqaroi se vendimi nuk ishte i lehtë dhe nuk ishte në pajtueshmëri me të gjitha institucionet, duke mos dhënë detaje se për cilat institucione bëhet fjalë. Ai theksoi se shëndeti i qytetarëve është në rend të parë.

”Jemi këtu sot bashkë me zv, kryeministri e Republikës së Maqedonisë që ta vizitojmë komunë e Tetovës, për ta njoftuar kryetaren e komunësë, Teuta Arifi, me vendimin që sot ka marr inspektoriati i mjedisit. Nuk ka pajtueshmëri nga të gjitha institucionet, por është një vendim i ligjshëm, i cili është sjellë konform dispozitave ligjore dhe vendimeve të sjella më herët për këtë çështje. Nuk ka qenë e lehtë për mua që të inicoj një vendim të këtillë, duke patur parasysh rëndësinë që ka puna e këtij kombinati për të punësuarit aty, por për ne, më e rëndësishme është shëndeti i qytetarëve të rajonit të Pollogut, dhe ne nuk bëjmë asgjë më tepër se sa punën tonë. Mjaft ishte.”, ka deklaruar Ameti për mediat./Telegrafi/