Analistët ne “RRuga Drejt”: Gruevski nuk mund të formojë Qeveri

Edhe pse Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski nisën bisedimet për formimin e Qeverisë, analistët megjithatë janë skeptikë se VMRO dhe BDI do të arrijnë marrëveshje për koalicion. Xhelal Zejneli tha në “Rruga Drejt” se BDI-ja vetëm formalisht do të negociojë me VMRO-në për formimin e qeverisë.

VMRO-ja nuk do të mund të formojë qeveri dhe BDI-ja formalisht është përfshirë në bisedime ose do të përfshihet në bisedime vetëm e vetëm ta respektojë parimin e vitit 2006 apo 2008, për të cilin insistonte, se fituesit duhet ta krijojnë qeverinë”, tha Xhelal Zejneli, profesor.

Edhe Sasho Ordanovski vlerëson se VMRO DPMNE-ja nuk mund të bëjë koalicion me BDI-në për shkak të retorikës së saj nacionaliste e shoviniste. Ajo vetëm po përpiqet të harxhojë kohë.

VMRO, praktikisht i bëri të gjitha lëvizjet e nevojshme që të mos mund të krijojë qeveri me BDI-në. Nuk e di se çfarë ka mbetur që VMRO t’u tregojë shqiptarëve, Ali Ahmetit, komunitetit ndërkombëtar. Nuk e di edhe çfarë tjetër ka mbetur! Mbeti vetëm të shkojnë në Reçicë të Vogël dhe aty të bëjnë ndonjë incident”, u shpreh Sasho Ordanovski, analist politik.

Profesori, Milaim Fejziu tha se as VMRO DPMNE-ja e as LSDM-ja nuk do ta pranojë platformën e përbashkët të partive shqiptare dhe se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Mendoj se shteti duhet të shkojë në zgjedhje të reja, nuk do të ketë qeveri politike. Ashtu rrethanat u krijuan. Këto zgjedhje nxorën atë rezultat që e nxorën. Asnjë parti nuk e ka komoditetin të formojë qeveri”, deklaroi Milaim Fejziu, profesor.

Analistët në emisionin “Rruga Drejt”, thanë se nëse partia e Ahmeti do të bëjë koalicion me Nikolla Gruevskin, atëherë BDI-ja do të humb zgjedhjet e ardhshme lokale dhe ato parlamentare.