Analisti serb: Tani me Trumpin do ta ndajmë Kosovën

Analisti më i njohur serb i çështjeve ushtarako-politike, Miroslav Lazanski, vlerëson se Serbia, me presidentin e ri të zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të mund të binte dakord për ndarjen e Kosovës.

Lazanski thotë për mediat serbe se janë krejtësisht jorealiste pritjet e disa politikanëve dhe të ashtuquajturve ekspertë se “Trump do na kthejë tërë krahinën tonë”, por është i bindur se pas fitores së Trumpit, me amerikanët mund të diskutohet për ndarjen e Kosovës.

Sipas tij, kufijtë momentalë të “krahinës serbe absolutisht nuk janë shkrime të shenjta” dhe se për ta mund të bisedohet me administratën e re në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, ai është i vetëdijshëm se Amerika, pavarësisht fitores së Trumpit, asnjëherë nuk do ta tërheqë njohjen e Kosovës dhe thotë se “fillimisht duhet të shohim nëse amerikanët do të na dalin në ndihmë për pronën serbe në Kosovë e Metohi, dhe vetëm atëherë mund të vazhdojmë me gjëra të mëdha”.

“Mos i rritni shpresat e panevojshme dhe jorealiste tek populli. Të shkojmë hap pas hapi. Së pari të shohim se çka do të bëjmë me AKS-në [Asociacionin e komunave serbe], pastaj për pronën, e më pas, kush e di, ndoshta Trump një ditë do të thotë: “Ta zgjidhim atë problem njëherë e përgjithmonë, serbët ta marrin veriun e Kosovës dhe ta mbyllim këtë çështje””, shprehet Lazanski, duke shtuar se Trump për Serbinë është gjithsesi opsion më i mirë sesa familja “famëkeqe” Clinton.

“Sikur të fitonte Clinton, SHBA-të do të vazhdonin me të njëjtën politikë ndaj shtetit tonë.

Trump nuk e ka këtë trashëgimi dhe për këtë arsye ka gjasa të mëdha që me ta për ne do të jetë mirë.

Kur flasim për Republikën Serbe, situata atje do të jetë më e relaksuar se deri më tani.

Hillary në programin e saj ka folur se si Ballkani është punë e papërfunduar dhe se Bosnja e Hercegovina duhet unifikuar.

Me Trumpin ky proces nuk do të jetë aq i shpejtë, ndërsa shtrohet edhe pyetje nëse ai në të vërtetë do të insistojë në këtë çështje. Dhe mbi të gjitha, duke e parë se në Prishtinë, Sarajevë e Zagreb e kanë vajtuar fitoren e Donald Trumpit, kjo do të thotë se ne duhet të gëzohemi”, ka thënë i bindur Lazanski.