Analisti shqiptar flet për skenarin e përgjakjes në Kuvend: Ja kush e donte të vdekur Ziadin Selën

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike në Maqedoni, Mersel Bilalli në një intervistë për “Bota sot” ka komentuar ndodhitë e fundit në Kuvendin e Maqedonisë, me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Bilalli ka thënë se pa asnjë dilemë zgjedhja e Xhaferit është legjitime. Gjatë sulmit në Kuvend, Bilalli thotë se qëllimi ka qenë të vritet shefi i opozitës Zaev dhe Sela që të tubohet masa opozitare maqedonase e shqiptare, të krijohet gjendje konfliktuoze e përmasave të mëdhaja dhe të jepet shkas për aplikimin e gjendjes së luftës.
Bota sot: Si e vlerësoni gjendjen politike aktuale në Maqedoni?
Mersel Bilalli: Maqedonia , pas një ecje të shpejtë drejtë integrimeve në EU dhe NATO deri kah viti 2005, e gjithë kjo u shemb me ardhjen e strukturës së Gruevskit me rrethin e tij familjar në pushtet dhe gjithçka mori të mbrapshtën. Çështja me emrin ku opinion maqedonas është tejet i ndieshëm qëllimisht u ngrit në piedestal të jetës apo vdekjes. Aeroporti u emërua me emrin “Aleksandri i Madh” poashtu edhe autostrada e Korridorit 10, mandje u lansua edhe Antika e rrejshme. Këto u bënë qëllimisht që të provokohet Greqia si anëtare e NATO dhe UE që të vërë veto në procesin integrues të Maqedonisë dhe të bllokohen të gjitha proceset integruese. Pra, e gjithë kjo u bë qëllimisht që të minohet procesi euroatlantik dhe shteti të kthehet në rrugën lindore, ku krimi pa pengesë do të lulëzoj. Mos harrojmë se Maqedonia po të kishte vazhdua me tempon ekzistuese të viteve 2002 -2006, ajo në vitin 2011 do të ishte anëtare edhe e NATO-së edhe e UE, me siguri me emrin e përkohshëm FYROM.
Bota sot: A kanë fituar shqiptarët me zgjedhjen e Talat Xhaferit si Kryetar Kuvendi?
Mersel Bilalli: Shqiptarët me pushtetin e BDI për fat të keq deri në fundin lojal të Gruevskit bënë shumë hapa pas. U rrëzua krenaria e 2001, me shumë ligje dhe ndryshime kushtetuese (ajo që zvogëloi censusin për zgjedhjen e presidentit nga 50% në 40%, ku shqiptarët humbën faktorizimin në këtë institucion). VMRO organizonte grupe të rinjsh që bënin incidente ndëretnike nëpër autobusa e kahmos, e cila shërbente si karburant për forcimin e pushtetit personal të Gruevskit, kurse Shqiptarët heshtnin. U harxhuan mbi 600 milionë euro për beton e gips për histori të rrejshme në “Shkupin 2014”, ku u shpërlanë shumë para, njëherit me qëllim që të ngritej krenaria në masën e frustruar maqedonase e dëmtuar pas konfliktit të viti 2001. Zgjedhjet apo zgjidhjet personale shqiptare tani nuk janë aq relevante kur në fakt nuk kemi të bëjmë me figura të reja, të cilët nuk kanë qenë pjesë e pushtetit që tani si duket mbaron.
Bota sot: Sulmin ndaj deputetëve në Maqedoni, a duhet marrë si sulm ndaj shqiptarëve?
Mersel Bilalli: Mendoj se nuk është fjala për sulm, por për skenar të organizuar për të bë grushtet nga prijësit e VMRO të përkrahur servilisht edhe nga Presidenti marionet i shtetit. Pra, qëllimi ka qenë që të krijohen incidente dhe konflikte të përmasave të mëdhaja, që të aplikohet gjendje lufte në shtet, të burgosen kundërshtarët e pushtetit dhe mandej sërisht pas disa muajsh Gruevski të jetë kryeministër me një parti shqiptare në pushtet. Jo, rastësisht deputet të një partie shqiptare as që u prekën natën e tentimit të grushtetit. Por, ky ishte hesapi pa hanxhiun, pasi faktori amerikan e kishtë vendosur që ta eliminoj këte klikë nga pushteti për hire të sigurisë në rajon dhe grushtshteti dështoj. Mendoj se qëllimi ka qenë të vritet shefi i opozitës Zaev dhe Sela që të tubohet masa opozitare maqedonase e shqiptare, të krijohet gjendje konfliktuoze e përmasave të mëdhaja dhe të jepet shkas për aplikimin e gjendjes së luftës.
Bota sot: Kur do të kenë vendin e merituar shqiptarët në Maqedoni?
Mersel Bilalli: Atëherë kur do të kenë përfaqësues të denjë që nuk do e këmbejnë moralin dhe ndërgjegjen në para. Duhet kohë që të ndërtohet një elite politike që do të di se çka duhet bërë dhe si. Tani për tani Shqiptarët përfaqësohen nga njerëz gati të paarsimuar dhe materialisht të varur nga ofertat e pushtetit. Humbëm shumë kohë dhe gjithçka tjetër, e në veçanti rininë vitale. Na iku rinia jashtë vendit pasi askush as një hap më të vogël nuk e bëri në drejtim të zhvillimit ekonomik.
Bota sot: A po i mbrojnë të drejtat e shqiptarëve, partitë shqiptare në Maqedoni?
Mersel Bilalli: Potencova se këtë e kanë bërë vetëm në mënyrë deklarative, kurse në esencë shumë pak është punuar, mos të them aspak. Korruptimi i udhëheqësisë shqiptare, atë e shndërroj në strukturë servile që çdo kohë mbyllte sytë nga të gjitha devijimet e përmasave jetësore strategjike.
Bota sot: Kush po i sulmon shqiptarët në Maqedoni?
Mersel Bilalli: Atë e bënte stuktura e instaluar speciale për atë punë nga VMRO, por edhe indiferenca e subjektit politik shqiptar. E gjithë kjo, jo vetëm që na e rrëzoi krenarinë, por edhe na degradoi në përmasa maramendëse. Dua të potencoj se udhëheqësia e VMRO-së qëllimisht gjithë kohën luante në letrën e nacionalizmit, më qëllim të mobilizimit të masës së vet, të frustuar se gjoja lufton rrezikun më të madh antimaqedon, e ajo është shqiptaria. Pra, ai manipulonte pjesën primitive dhe të paditur të popullatës së vet. Duhet potencuar se shumë analist maqedonas gjithë kohën e kundërshtonin këtë lojë të flliqtë, por Gruevski kishte mediume të fuqishme të korruptuara dhe këto kundërshtarë i shpallte tradhtarë të popullit maqedonas.
Bota sot: Sipas juve, cila është e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoni?
Mersel Bilalli: Duhe ta kuptojmë se patriotizmi më i madh është zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale. Pa të do të kemi vetëm të drejta boshe, madje edhe sikur formalisht të jemi të barabartë. Pa këto komponenta popullata do vazhdoj të na shpërngulet dhe do mbeten vetëm statujat aq të lavduara në mungesë të rezultateve konkrete.
Bota sot: A e ka ndryshuar gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni ndonjë politikan?
Mersel Bilalli: Të shohim si do të shkojnë punët me garniturën e re maqedonase, e cila sa i njoh unë janë diçka krejt e kundërt me atë të deritanishmen, por do të duhet gjithë të punojmë që ta tejkalojmë këtë gjendje kaotike në të gjitha segmentet e jetës shoqërore. Kjo nuk do të jetë aspak lehtë kur dihet se para ardhjes së VMRO-së në pushtet kishim rreth dy miljardë borxh publik, kurse tani kemi mbi gjashtë miliardë.
Bota sot: Si e vlerësoni rolin e Kosovës dhe Shqipërisë ndaj Shkupit zyrtar në lidhje me shqiptarët?
Mersel Bilalli: Në masë të madhe indiferente, të kapluar nga kompleksi për akuzim për paternalizëm apo ndoshta edhe interes i bizneseve rajonale të koordinuara bashkarisht. Mos të harrojmë se krimi i organizuar ka lidhje rajonale , ku tangohen edhe interesa të politikanëve shqiptar në rajon. Kur janë në pyetje paratë sikur të gjithë shndërrohemi në vëllëzër gjaku.
Bota sot: Si e vlerësoni deklaratën e Zoran Zaev “me serbët jemi vëllezër, kishat në Kosovë janë zemra e Serbisë”?
Mersel Bilalli: Ai mundehet me përvojën e vet të shkurtë të krijojë miq në mbarë rajonin dhe shpesh deklaratat i komentohen ndryshe. Bënë lapsuse të mëdhaja. Në një intervistë para do ditësh ai në mënyrë drastike pati sulmuar Vuçiqin, i cili sipas tij po ndjeka rrugën e Gruevskit, apo deklarate e dhënë në Zvicër se Shqiptarët merritojnë më shumë se Marrëveshja e Ohërit, që gjatë fushatës zgjedhore shumë iu patë eksploatuar, madje i kushtoj numër deputetësh.
Bota sot: A kanë ardhur shqiptarët në këtë gjendje për shkak të përçarjes me maqedonasit, apo shkak i përçarjes ndërmjet vete?
Mersel Bilalli: Gjer tani BDI nuk ka pas konkurent serioz që të përçahet, madje një kuaziopozitë që ishte, nga bombat e Zaevit pamë se poashtu kishte qenë servile e VMRO-së. Mendoj, se tani shqiptarët duhet të ndërtojnë një subjekt mirë të organizuar, i cili nuk do të frikohet në radhët e veta të përfshijnë masën intelektuale. Do parti që u formuan këto dy vite edhe pse me njëfarë ideali, por fakt se nuk arritë ta bëjnë këte gjë. Mendimi i masës së denjë intelektuale është se duhet të formohet një front i gjërë ku do të përfshiheshin edhe partite e reja të pakuruptuara që të mund ta kthejmë relevancën.
Bota sot: Sulmi ndaj Kuvendit në Maqedoni a ishte cak i huliganësve maqedonas, apo agjenturave te huaja?
Mersel Bilalli: Potencova se ai ishte një skenar për grushtet, ku do të burgoseshin të gjithë kundërshtarët e rregjimit të Gruevskit dhe do të bëhej një Bellorusi, por mendoj se Uashingtoni këtë e pengoj në momentin e fundit, pasi i gjithë rajoni do të përfundonte në zjarr.
Bota sot: A është legjitime zgjedhja e Talat Xhaferit?
Mersel Bilalli: Pa dilemë se po. U bënë pesë javë obstruksione në konstituimin e parlamentit dhe ishtë krejt legjitime që të bëhej një përzgjedhje e tillë, madje duhet potencuar se e gjithë ajo ishte në përputhje me Rregulloren në fuqi të Parlamentit.
Bota sot: Cilat duhet të jenë prioritetet e partive shqiptare në Qeverinë e re?
Mersel Bilalli: Së pari duhet bërë eliminimin e asaj që është klienteliste partiake në çdo segment, pastaj respektimin dhe avancimin e kuadrove të duhura, zhvillimin ekonomik dhe realizimin e barazisë në shtet. Kjo nuk do të shkoj lehtë, por me rëndësi është që të fillohet nga diku. Duhet ligjërisht sanksionuar përzierjen e funksionarëve partiak në punësimin dhe avancimin e të paditurve. Kjo ka shkatërruar edhe arsimin, kur masë e madhe të të rinjven tani kanë bindje se për t‘u punësuar dhe avancuar nuk lypet dije, por dëgjueshmëri dhe një diplomë formale. Kjo është kancer numër një i yni.