Ankohet “UNITETI”, akuzon Selën për keqpërdorim të Aleancës

 

Funksionarë të lartë të LR PDSH-së, si dhe vetë kreu i kësaj partie, të ndihmuar edhe nga disa gazetarë që përkrahin këtë parti, me qëllim ngatërrojnë emrin e partisë “Lëvizja për reforma PDSH” me emrin e koalicionit që kjo parti kishte me dy partitë tjera (RDK dhe Uniteti) për zgjedhjet e kaluara parlamentare, shkruan Fakte. Kështu në lajmin e orës 16 në televizionin “Alsat M”, nën titullin “Aleanca, mbledhje e kryesisë për qeverinë“, shkruhet se kryesia e LR PDSH-së do të mbajë mbledhje të kryesisë… I njejti televizion disa muaj më parë “nga burime të saj” kishte siguruar se të tri partitë e këtij koalicioni brenda ditëve do të shkriheshin në një subjekt, por kjo nuk ndodhi asnjëherë, madje të tre partitë veç e veç demantuan një gjë të tillë.

Ndryshe, koalicioni parazgjedhor mes partive LR PDSH, RDK dhe UNITETI, nën emrin “Aleanca për Shqiptarët” u nënshkrua nga kryetarët e këtyre subjekteve Sela, Memedi dhe Ostreni më 19.10.2016 në Shkup. Si pasojë, me lista të përbashkëta të kandidatëve për deputet, Aleanca grumbulloi vota për tre deputetë në Kuvendin republikan. Menjëherë pas zgjedhjeve, të tre partitë e APSH-së firmosën edhe Rregullore për funksionim të brendshëm, sipas të cilës Aleanca udhëhiqet dhe përfaqësohet nga kryetarët e tre partive, me rotacion me mandat katërmujor. Deri më tani LR PDSH nuk e ka respektuar këtë rregullore.