Antonio Miloshoski udhëheqës i ri i VMRO-DPMNE-së?

 

Deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski sipas disa mediave po spekulohet se do të jetë lideri i ri i VMRO-DPMNE-së, pas formimit të qeverisë së re nga LSDM-ja.

Sipas portalit Plusinfo.mk së shpejti pritet që lideri aktual i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski do të japë dorëheqje pas humbjes në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar dhe pas ndodhive që kulmuan me rrahjen brutale të deputetëve të LSDM-së në Kuvendin e Maqedonisë, gjë që varrosi kredibilitetin e tij prej udhëheqësi jo vetëm tek opinioni ndërkombëtar por edhe anëtarësia e VMRO-DPMNE-së.

Kohë më parë edhe emisioni i popullarizuar “Insajder” i Televizionit beogradas N1, spekuloi se Milloshoski do ta trashëgojë Gruevskin në krye të VMRO-së, ndërsa në emisionin Milloshoski hapur ka pranuar se partia e tij tashmë nuk ka shumicë parlamentare dhe se ata janë më përfundimisht në opozitë.