Anullohet pjesëmarrja e Era Istrefit në festivalin e Moskës për shkak të kërcënimeve

Festivali shumë i njohur “Europa Plus”, i cili do të nisë sot në Moskë pretendohej të ishte vendi ku për herë të parë do të përformonin “live” katër këngëtare shqiptare, ku përveç Bebe Rexhës, Dua Lipës e Arilena Arës do të ishte edhe Era Istrefi.

Megjithatë, në momentet e fundit, mediat vendore shkruajnë se Era ka anuluar pjesëmarrjen e saj në këtë festival.

Shkak për këtë anulim duket se është bërë siguria. Performancat në gjuhën shqipe dhe prezantimi si shtetase nga Kosova, mësohet se kanë nxitur kërcënime ndaj këngëtares dhe autoritetet e sigurisë kanë rekomanduar që Era të mos udhëtojë drejt Moskës.

Tashmë në këtë festival të muzikës do të performojnë vetëm Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Arilena Ara.

Era Istrefi është duke punuar në projektin e ri të saj, i cili publikohet më 25 gusht në bashkëpunim me superyllin e hip hopit, French Montana.