Armëpushim 4 ditor – Alepo, forcat ruse s’do të bombardojnë 11 orë në ditë

Në katër ditët e ardhshme, për 11 orë në ditë, forcat ruse dhe ato siriane do të ndalojnë sulmet në qytetin e Alepos për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të largohen, ndërkohë që rebelëve u është bërë thirrje për dorëzim. Armëpushimi do të nisë nga ora 8:00 e mengjesit dhe do të mbetet në fuqi deri në orën 19:00, gjithmonë duke i’u referuar orës lokale. Vendimi është mirëpritur nga OKB, por zyrtarët e organizatës bënë thirrje për të vijuar përpjekjet që kanë për qëllim zgjidhjen përfundimtare të konfliktit.

Rusia ka vendosur që t’a zgjasë në një afat 4-ditor armëpushimin në qytetin e Alepos, për t’iu dhënë mundësi qytetarëve që të largohen, ndërkohë që vijon t’u bëjë thirrje për t’u dorëzuar rebelevë që kundërshtojnë regjimin e Bashar al-Assad.

Deri në ditën e dielë, forcat ruse dhe ato siriane do të ndalojnë bobmardimet në zonën më të prekur nga lufta, por ulja e armëve do të jetë e vlefshme vetëm për 11 orë të ditës.

Kështu, armëpushimi do të jetë në fuqi, duke nisur nga ora 8:00 e mengjesit, e deri në orën 19:00, gjithmonë duke i’u referuar orës lokale. Vendimi është mirëpritur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, por zyrtarët vijojnë të nënvizojnë se situata në Alepo sa vjen e përkeqësohet.

I deleguari special i OKB-së, Stafan de Mistura u shpreh se shumë qytetarë nuk kanë dëshirë të largohen nga qyteti.

“Rrethanat janë mjaft të qarta. Në Alepo ka 7.000 luftëtarë, dhe 275.000 civilë, ku afro 100.000 prej tyre janë fëmijë. Pavarësisht se e mirëpresim këtë armëpushim, më duhet të nënvizoj se situata në Alepo vijon të mbetet e rënduar. Shumë qytetarë nuk duan të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi nuk duan të kthehen në refugjatë. Zëri i tyre duhet dëgjuar dhe bombardimet duhet të ndalojnë nga të dyja palët”, ishin fjalët të deleguarit special të OKB-së.

Ndërkohë, Këshilltari i Stafan de Misturës, Jan Egeland, tha ndër të tjera se Organizata e Kombeve të Bashkuara do t’i kërkojë Rusisë që afati i armëpushimit të zgjatet në 5 ditë.

Ushtria e ruse dhe forcat qeveritare siriane kanë vënë në dispozicion tetë korridore për qytetarët, për t’u dhënë mundësi që të largohen nga qyteti.