Arrihet marrëveshja për murin në Mitrovicë: Pajtohen për rrëzimin

Qeveria e Kosoves ka njoftuar nëpërmjet një komunikate, pas orës 2 të mëngjesit të së shtunës, që është arritur pajtimi për rrëzimin e murit në Mitrovicë.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, janë pajtuar që të zgjidhin çështjen e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore.

Kjo është bërë nën lehtësimin e Zyrës së BE-së, si dhe të Ambasadës së SHBA-ve.

Sipas një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, palët kanë arritur një zgjidhje, e cila do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës.

“Gjatë ditëve në vijim, ne do të njoftojmë publikun me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për urën.

Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë ne kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në komunikatë.