Arrin “bisha” BMW M5 me 600 kuaj fuqi (Foto)

Pas daljes së fotografive të para të BMW M5, prodhuesi gjerman ka zbuluar detajet teknike të modelit të tij më të fuqishëm.

Siç është bërë e ditur, M5 për 2018 posedon motor 4.4 litra M TwinPower Turbo V8, i cili prodhon 600 kuaj fuqi. Fuqia e bartjes bëhet përmes ndërruesit automatik prej tetë shpejtësive në të katër rrotat.

Vetura ka performanca jashtëzakonisht të mira. Prej 0 deri 100 km në orë BMW M5 i arrin për vetëm 3,4 sekonda, derisa shpejtësinë deri në 200 km në orë e arrin për 11,1 sekonda.

Automobili ka shpejtësi të kufizuar maksimale prej 250 km në orë dhe limiti mund të ngrihet në 305 km në orë nëse blerësi porosit automjetin me opsionin e paketës M Driver, transmeton KosovaPress.

Risia më e madhe në BMW M5 është sistemi xDrive në të katër rrotat. Ky opsion i ofron disa mundësi vozitësit, përfshirë edhe opsionin tradicional të motorit në rrotat e pasme.       Masa e automobilit është 1.855 kg, ose dukshëm më e vogël se sa modeli paraprak.

BMW M5 do të jetë i pranishëm për herë të parë para publikut në sallonin e automobilave në Frankfurt. Automobili mund të porositet në Gjermani duke filluar nga muaji shtator, me çmim fillestar prej 117.900 eurosh, derisa dërgesat e para do të bëhen në pranverë të vitit 2018.

Për blerësit, të cilët nguten të porositin njësinë e tyre, në dispozicion do të jetë seria speciale M5 First Edition, e cila vjen në “Frozen Dark Red”, ngjyrë metalike.