Artan Grubi: Nuk është patjetër të jemi në qeveri

​Shefi i kabinetit të Ali Ahmetit, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi thotë se partia e tij nuk është patjetër të jetë pjesë e qeverisë së ardhëshme në Maqedoni. Ai vlerëson se për BDI-në gjithëmonë ishte më e rëndësishme përmbajtja dhe jo forma, informon Gazeta Express

“Përmbajtja ishin të arriturat e shqiptarëve, ndërsa forma ishte dhënia e nënshkrimeve ose edhe pjesëmarrja në qeveri. Pas arritjes së imponimit të plotë dhe të pakushtëzuar të ligjit tonë për gjuhën shqipe dhe zbatimit të të gjitha pikave të Deklaratës së Përbashkët Shqiptare, nënshkrimet janë vetëm formalitet. Me rëndësi është që ne të zbatojmë atë që duan shqiptarët, ndërsa pjesëmarrja në ekzekutiv ose mbetja në përkrahje të një qeverie pakice do tē diskutohet më pas sepse parësore për ne janë të arriturat shqiptare si parakusht absolut”, shkruan Artan Grubi, shef kabineti i kreut të BDI-së në profilin e tij në Facebook./Gazeta Express/