Asgjë nga autostrada Tetovë – Prizren

 

Drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës kanë pranuar se ende nuk ka ndonjë projekt konkret për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë. Ata kanë theksuar se autoritetet lokale në këtë plan kanë realizuar kontakte me disa investitorë të jashtëm dhe se kanë mbetur në biseda për të shikuar mundësitë e jetësimit të projektit me koncesion, shkruan “Koha Ditore”. Ndërsa zyrtarët komunalë të Prizrenit që janë marrë me këtë çështje kanë bërë të ditur se ky projekt ka një kosto prej një miliard eurosh, në të cilin proces janë të ndërlidhur shumë aktorë dhe se ai nuk mund të përmbyllet shpejt, por kërkon kohë për realizimin. Ndërkohë edhe udhëheqësit e Komunës së Dragashit janë shprehur në favor të afrimit të lidhjeve rrugore me Maqedoninë dhe në këtë drejtim kanë ndarë mjete për vazhdimin e ndërtimit të rrugës nga Zaplluzha në drejtim të kufirit me shtetin fqinj. Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka deklaruar se Komuna e Prizrenit ka zhvilluar biseda me investitorë të jashtëm për çështjen e ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë, por pa ndonjë rezultat konkret deri tashti. Muaj më parë nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi, ka sqaruar se projekti është i kushtueshëm dhe sipas tij për këtë arsye nuk mjafton vetëm angazhimi i Qeverisë lokale. Është projekt që kushton mbi një miliard euro, ka thënë Kabashi. Nga ana tjetër kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi, gjatë vizitës në punimet në vazhdimin e ndërtimit të rrugës Jabllanicë-Zaplluxhë, para ministrit Zharku dhe kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, pati pohuar se komuna që ai drejton ka planifikuar që për vazhdimin e këtij segmenti drejt Tetovës të ndahen 130 mijë euro nga buxheti lokal. Në janar të vitit 2014, drejtuesit e Prizrenit dhe të Tetovës patën parashikuar se ndërtimi i rrugës që lidh këto dy qytete nuk do të realizohet në një të ardhme të afërt.