Atëherë kur Tetova vlonte!

-Nisi në Kosovë vazhdoi në Tetovë e Ulqin

-Tetova vlon, piqen rrethanat shpërthyese

Demonstratat e vitit 1968 në Tetovë u organizuan një muaj pas demonstratave të Kosovës.Organizatorë të drejtpërdrejt të këtyre demonstratave ishin studentët shqiptarë nga Tetova; organizatorë të këtyre demonstratave ishin edhe disa patriotë të tjerë që i brengoste fati i kombit dhe pozita politike, si dhe shtypja e vazhdueshme e shqiptarëve në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kërçovë, Shkup, Kumanovë dhe qytete të tjera të banuara me shqiptarë. Shpërthimi i demonstratave ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me disa ngjarje në Kosovë, pas Plenumit të katërt të Jugosllavisë, por edhe me disa ngjarje në Tetovë që i paraprinë demonstratës. Klima e krijuar pas Plenumit pati rëndësi të madhe. Në këtë kohë filloi një lidhje e bashkëpunim më i ngushtë me Kosovën. Numri i egzemplarëve të “Rilindjes” në fillim u dyfishua, madje u shumëfishua; filloi depërtimi i madh i librave nga Kosova, në mesin e të cilave kishte edhe botime nga Tirana; shumë të rinj nga Tetova vinin në Kosovë për të parë pjesët teatrale “Tirmi i mirë me shokë shumë”, “Cuca e maleve”, ‘Shtatë shaljanët”, “Plaku i maleve” etj. Më 1968 Jubileu i 500- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut nga Prishtina u bart edhe në Tetovë.

Në shpërthimin e demonstratave do të ndikojë edhe ngarkesa e popullit shqiptar me një kujtesë të rëndë dhe të hidhur historike. Vrasja masive e 1200 shqiptarëve në vitin 1945 në “Monopolin” e Tetovës, i cili përkohësisht shërbeu edhe si kamp përqëndrimi për shqiptarët. Burgosja e shqiptarëve dhe proceset e montuara politike, të cilat filluan  menjëherë pas përfundimit të luftës dhe gjatë gjithë kësaj periudhe deri në vitet e 60-ta. Burgosjet e para u bënë në vitin 1945, kur shumica e të burgosurve edhe u ekzekutuan. Në vitin 1946 u organizua gjykimi i parë i montuar në Shkup, i të ashtuquajturve Nacionalistë Demokratë Shqiptarë, ku me vdekje u dënuan Azem Morana, Mehmet Bushi, Skënder Morana, që të tre nga Shkupi; dy të parët u ekzekutuan, ndërsa të tretit dënimi iu shëndrua në 20 vjet burg. Në vitin 1052 pason njëri nga proceset më të mëdha politike, grupi i informbiroistëve shqiptarë, në krye me arsimtarin nga Shipkovica, Sadudin Gjura, i cili u dënua me 20 vjet burg. Bashkë me të u dënuan edhe shumë të tjerë, si Gani Luma, Sheraf Kazazi, Ismail Saiti, Vehbi Lushi, të gjithë nga Tetova. Po këtë vit në Tetovë dënohet edhe profesori Shani Mina dhe arsimtari Qerim Arifi, si dhe mësuesit, Sejdi Misini dhe Hysni Abdullahu, që të dy nga fshati Sllatinë. Në vitin 1955 me 10 vjet burg dënohet Mehmet Gega, Muharem Jusufi dhe Abdulla Kalishta. Në vitin 1956 me burg të rëndë dënohen disa intelektual, si: Raif Maleziu, Sulejman Arifi dhe qytetari Hys Spahiu nga Tetova;nga Gostivar dënuan Adnan Agai, Sheraf Agai Abdylaziz Taravari, vëllezërit Naxhi e Fevaip Purde etj.

Në këtë kontekst po përmendim rasti Mehmet Gegës, i cili veproi në Gostivar, Shkup, në Prishtinë, Peje, Prizren, Gjilan dhe në qytetet e tjera duke u përpjekur që t’i bindte njerëzit që të mos shkojnë në Turqi. Mirëpo, veprimtaria propaganduese i ndërpritet nga policia, i cili në atë kohë zihet me parullat” Mos shkoni në Turqi, qëndroni në vendin tuaj”. Për këtë akt patriotik ai dënohet me 10 vjet burg; në vitin 1967 në shtëpinë e Mehmet Gegës për të festuar Ditën e Flamurit vijnë Arbër Xhaferi, Faik Mustafa, Xhemil Mustafa, Hysenxhevat Kalishta, Abdylmenaf Rustemi, Miftar Ziberi. Ramadan Sinani, Fehmi Rufati; gjatë asaj nate u kënduan këngë patriotike dhe u bisedua për padrejtësitë që ju bëheshin shqiptarëve; vajza e Mehmet Gegës, Valdeta Gega atë natë përfundoi qëndisjen e Flamurit Kombëtar; të gjithë të lartëpërmendurit më 27 prill dalin para gjykatës, si orgaznizatorë të demonstratave të Tetovës.

NGA PROTESTAT NË DEMONSTRATA

Në muajn Nëntor të vitit 1968 Kuvendi i Maqedonisë formalisht kishte miratuar përdorimin e “lirë” të flamurit të kombësive; në mbrëmjen e 19 dhjetorit, në festën e Bajramit në disa xhami u ngritën shumë flamuj. Në xhaminë e Sahatit e cila gjendet në qendër të qytetit, flamurin e vendosi Murtezan Murtezani, vëllai i Mehmet Gegës; te xhamia e vjetër flamuri e ngriti Abdulla Jusufi, ndërsa te Xhamia e pashës, Haqif Ferati.

Me këtë rast maqedonët ishin revoltuar, prandaj edhe përgatitën një skenar provokues. Në orët e mrëmjes së datës 22 dhjetor shovinisti maqedon, Sreçko Janevski grisi flamurin shqiptar, të ngiitur në dyqanin e Ismail Spahiut, në qendër të qytetit.Njerëzit iritohen nga ky veprim dhe fillojnë të tubohen; provokatori Sreçko nxjerr revolen dhe ua drejton masës duke e zbrazur në drejtim të “Hotel Maqedonia”. Protestuesit shqiptarë thejnë xhamat e hotelit dhe futen në lokalet e tij, por së shpejti arrinë policia, e cila e merr në mbrojtje këtë provokator. Më të dalluarit kundër këtij provokatori ishin mjekët Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari, si dhe arsimtarët, Selajdin Hyseini dhe Abdulla Kalishta. Demonstrat e Tetovës aktualizuan çështjen e flamurit në nivel federativ dhe së shpejti u miratua vendimi për përdorimin e tij, ndonëse këtë vendim Maqedonia nuk e përfilli deri në vitin 1975. Kjo ngjarje ngriti vetëdijen kombëtare, shtoi interesimin për shkollim dhe aktualizoi çështjen shqiptare. Ky ishte një bumerang kundër shovenëve maqedon, të cilët me masat drakonike kundër shqiptarëve u treguan si politikan të rangut të ulët dhe e humbë luftën politike. Selatin NOVOSELLA (Kosova 68)