Atentat kryeministrit serb Vuçiç?

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçic, së bashku me familjen e tij, është evakuuar gjatë natës në një vend më të sigurt pasi në afërsi të shtëpisë së prindërve të tij, është zbuluar një arsenal armësh.

Armët, janë gjetur në lagjen “Jajinc” të cilën Vucic e viziton shpesh, pranë një kryqëzimi ku autokolona e kryeministrit serb ngadalësonte shpejtësinë ndërsa ai shkonte tek prindërit e tij.

Sipas mediave serbe pjesë e arsenalit janë një minahedhëse, katër bomba dore, 100 copë fishekë të kalibrit 7.62, 4-5 fishekë të armës automatike dhe 15 fishekë të një kalibri të panjohur.

Lajmin u konfirmua nga ministri I punëve të brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanovic, gjatë një deklarate në Radio Televizionin Serbisë. “Është shqetësuese që armët ishin vendosur në vendin ku autokolona e tij ngadalësonte shpejtësinë deri në 10 kilometra në orë”, tha ministri Stefanoviç.

Ai tha se kalimtarët njoftuan policinë për gjetjen e municioneve. Gjatë deklaratës, ministri Stefanovic nënvizoi se sigurimi fizik që ka kryeministri nuk është i mjaftueshëm dhe për këtë arsye ai do të kërkojë që ‘shërbimet e sigurisë të hedhin dritë sa më shpejt për ngjarjen.

“Nëse organet përgjegjëse nuk mund të thonë se çfarë po ndodh, atëherë le të tërhiqen”, tha Stefanovic. vetë Kryeministri Aleksandar Vuçic, ka deklaruar se nuk ‘mund të jap asnjë informacion deri sa nuk merr një informatë nga Agjencia e Sigurisë BIA dhe nga policia.

ndërkohë Ministri Aleksandar Vulin u ka bërë thirrje shërbimeve përgjegjëse që të japin përgjigje pyetjes se “kush ka përgatitur atenatin ndaj kryeministrit Vuçic”, duke theksuar se “ata që nuk janë në gjendje që pas gjithë këtyre viteve të japin përgjigje kësaj pyetje dhe të tjera duhet të tërhiqen dhe t’i lirojnë postin atyre që duan të punojnë”.

Për ngjarjen reagoi edhe ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili tha se shumë njerëz i kundërvihen kryeministrit Vuçiç dhe politikës së tij. “Gjithmonë do të gjejnë një dorë serbe për të kryer punët e tyre të pista, prandaj, hetimet duhen kryer dhe planifikuesit duhet të arrestohen”, tha ai.

Siguria e kryeministrit serb dhe zyrtarëve të lartë të Serbisë, është rritur pas atentatit të vitit 2003 mbi kryeministrin Zoran Gjingjiç, shefi i parë i qeverisë serbe pas rrëzimit të ish presidentit serb Slobodan Milosheviç, në vitin 2000.

Ngjarja ndodh 5 ditë pasi autoritetet serbe arrestuan një numër personash lidhur me pucin e dyshuar gjatë zgjedhjeve të 16 tetorit në Malin e Zi dhe pas disa vrasjeve të stilin mafioz mes grupeve kriminale në Beograd.