Atifete Jahjaga mund të vije në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës?

Pas dorëheqjes së Agron Selimajt nga kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në vendin e tij mund të vije ish-shefja e shtetit, Atifete Jahjaga.
Burime të lajmi.net kanë thënë se kandidati më serioz për të parin e inteligjencës është ish-presidentja Atifete Jahjaga.Sipas këtij burimi, Jahjaga është i vetmi person pothuajse që i plotëson të gjitha kriteret, për shkak të kaluarës së saj në Policinë e Kosovës, që ka pasur pozitën e zëvendësshefit.

“Jahjaga në të gjitha rrethanat është favorit, sepse është njeri i besueshëm i Amerikës dhe po ashtu ka pasur përvojën në Policinë e Kosovës në hierarki të lartë”, ka thënë një zyrtar i shtetit për lajmi.net.

Jahjaga kishte marrë pozitën e presidentes përmes një votimi në Kuvend nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së përgjithshme të Policisë së Kosovës.Ardhja e Jahjagës në pozitën e të parit të shtetit kishte ardhur pas një ngërçi në politikë, pasi Behgjet Pacolli ishte detyruar të dorëhiqej nga posti i presidentit, duke u konstatuar se ishte bërë shkelje procedurale nga Kubvendi gjatë votimit.

Në vitin 2015, kur kishte dhënë dorëheqje Bashkim Smakaj, në media ishte raportuar se këtë ia kishte kërkuar presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga, me arsyen se nuk e kishte kryer punën.Jahjaga ia kishte dhënë dy mundësi Smakajt: Dorëheqjen ose shkarkimin.

Por, Jahjaga që dikur shkarkonte zyrtarë të lartë në hierarkin e shtetin, mund të rikthehet në pozitën e të parës së AKI-së.As Agron Selimaj nuk e përfundoi mandatin, duke dhënë dorëheqje.

Selimaj kishte falënderuar ish presidentët e Kosovës, por edhe presidentin e tanishëm, Hashim Thaçin, për bashkëpunimin.

AKI-në e kishin përcjell shumë probleme, e sidomos në mandatin e Bashkim Smakajt.Mediat kishin shkruar se në kohën e Smakajt AKI-ja u përfshi në skandale nga punësimet e ‘dostave’ te tenderët, nga shmangia e kontrollit parlamentar e deri tendenca për të kidnapuar njerëz, nga zyrtarë kontrolli të arrestuar për diploma false e deri te vrasja e agjentëve fushorë në Siri.