AUTOBUSËT PUBLIK 9 DHE 19 RIKTHEHEN SË SHPEJTI

Kaosi në transportin publik, i krijuar me largimin nga qarkullimi i dy linjave, ndoshta më të frekuentuara në Qytetin e Shkupit, atë me numër 9 dhe 19, që përpos nga autobusët privat, mbuloheshin edhe me autobusë të Ndërmarrjes Publike “Transporti Publik Shkup”, së shpejti pritet të kenë zgjidhje pozitive në favor të qytetarëve. Reagimet e njëpasnjëshme të banorëve të Fushës Tophanes, Shkup Veriut, Çairit dhe më gjerë, të cilat gazeta KOHA nga fillimi i ka publikuar, kanë ndikuar që këshilltarët shqiptarë në Qytetin e Shkupit, të mërkurën të realizojnë një takim me kryetarin Koce Trajanovski. Temë e këtij takimi, në të cilët morën pjesë dhe përfaqësues të NP “Transporti Publik Shkup” dhe përfaqësues të Sektorit të komunikacionit në kuadër të qytetit, ishte tejkalimi i problemit me linjat publike të autobusëve. Këshilltarët shqiptarë, Qemal Musliu nga BDI-ja dhe Idriz Orana nga PDSH-ja, njëzëri kërkuan që vendimi i Këshillit të Qytetit, i sjell me 13 dhjetor, të anulohet. Përkundër faktit se ky takim u mbajt me dyer të mbyllura, këshilltarët shqiptarët u shprehën të kënaqur nga pranimi të cilin ua kishte bërë kryetari Trajanovski, duke shpresuar se në një të ardhme të shpejtë ky vendim do të përmirësohet në dobi të qytetarëve. “Kjo mbledhje u realizuar pas reagimeve të shumta dhe problemeve, me të cilët ballafaqohen qytetarët që deri dje i kanë shfrytëzuar linjat me numër 9 dhe 19 të Ndërmarrjes Publike “Transporti Publik Shkup”. Qëndrimi unanim yni ishte se nuk ka arsye thelbësore që këto dy numra të transportit publik të hiqen nga qarkullimi, andaj kërkuam nga kryetari që ky vendim i Këshilli të Qytetit të Shkupi të ndryshohet”, tha për gazetën KOHA, këshilltari Qemal Musliu. Në ndërkohë Musliu, shtoi se kjo bisedë rrodhi në mënyrë shumë konstruktive dhe atyre u është premtuar se do të bëhen analiza shtesë konform sistemit të ri të pagesës, duke pasur parasysh në rend të parë kërkesat e qytetarëve që jetojnë në vendet ku qarkullojnë linjat e përmendura. Duke e komentuar vendimin i Këshillit të Qytetit të Shkupit, këshilltari Idriz Orana, tha se bëhet fjalë për një vend të përshpejtuar, i cili aspak nuk korrespondon me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. “Personalisht deri te organet e qytetit, respektivisht drejtori i NP “Transporti Publik i Shkupit”, kam dorëzuar një kërkesë, në të cilin kërkojmë një shpjegim më të detajuar për atë se pse u deshtë të sillet ky vendim, i cili në masë të madhe i dëmton qytetarët. Ndryshe, takimi i sotëm ka kaluar në frymën e konstruktivitetit dhe tejkalimit të situatës së krijuar, gjegjësisht përmirësimin e gjendjes momentale. Personalisht shpresoj se drejtuesit e qytetit e kanë kuptuar rëndësinë e qarkullimit të këtyre dy linjave publike në rajonet ku deri dje pa problem kanë lëvizur dhe shpresoj se ky vendim në një të ardhme të shpejtë do të ndryshohet”, tha këshilltari Orana, pas mbarimi të mbledhjes e cila zgjati më tepër së një orë. Ndryshe, nga 1 janari i këtij viti në transportin publik që funksionon në Qytetin e Shkupit, është futur në përdorimi sistemi i elektronik i pagesës, i cili gjatë dy viteve të kaluar vazhdimisht ka qenë i promovuar nga drejtuesit e ndërmarrjes publike dhe vetë drejtuesve të Qytetit të Shkupit. Në ndërkohë, edhe pse kanë kaluar dy javë nga implementimi i këtij sistemi të ri pagesor, pjesa dërmuese e qytetarëve janë të hutuar për atë se si funksionojnë kartelat elektronike, përfshi edhe oraret e reja të autobusëve.