Autoritetet të paaftë për të pastruar autostradat e vendit

Autostradat Kumanovë-Shkup dhe Shkup-Tetovë si dhe rruga për në qarkoren e Shkupit janë të pa pastruara nga bora. Vozitësit thonë se një gjendje e tillë përbën rrezik për ta dhe vështirëson qarkullimin, ndërkaq drejtojnë akuza në adresë të ndërmarrjes ‘Rrugët e Maqedonisë’ e cila sipas tyre nuk është treguar e aftë për të reaguar me kohë ndonëse paralajmërimet për reshjet e dëborës ishin bërë prej ditësh.

“Rruga e pa pastruar, nuk kanë hedhë zhavorr. Kjo është problematikë shumë, shiheni si është e pa pastër, problem është shumë. Me ka penguar, rruga është katastrofë, “Rrugët e Maqedonisë” nuk punojnë asgjë. Turp është për Maqedoninë”.

“Katastrofë është, aspak të pastruara. Normalisht kjo duhet të pastrohet , kështu nuk shkon”.

“Shumë ngadalë kemi ardhur. Duhet të pastrohet, shumë keq ishte”.

“Nuk është në gjendje Evropiane, duhet më tepër siguri të ketë”.

Pavarësisht pamjeve të filmuara nga Alsat, drejtori i ‘ Rrugët e Maqedonisë’ mohon se të njejtat janë të pa pastruara. Ai madje thotë se nuk ka asnjëfarë pengese gjatë komunikacionit.

“Sa i përket rrugës magjistrale Tetovë – Shkup dhe Tetovë Gostivar mund të themi se rruga është në gjendje të rregullt , komunikacioni zhvillohet në gjendje normale në kushte dimërore. Rruga Shkup Kumanovë gjithashtu është në gjendje të rregullt , vështirësi në komunikacion nuk ka aspak. Ekipet e “ Rrugët e Maqedonisë” janë në terren dhe vazhdimisht janë duke intervenuar”, deklaroi Gajur Kadriu, Drejtor I “Makedonija Pat”.

Nga Qendra Urgjente në Shkup thonë se kanë pranuar 25 pserona që kanë pësuar lëndime si pasojë e reshjeve të dëborës. Sic kumtojnë udhëheqësit e këtij spitali deri më tani 18 pacientë janë paraqitur me lëndime si pasojë e rrëzimeve në borë, ndërkaq shtatë raste tjera me lëndime nga ndeshjet me makina. Edhe nga Spitali i Qytetit në Shkup raportojnë për fluks pacientësh.

“Nga dje deri më sot gjithsej janë paraqitur 47 pacientë. Shtatë prej tyre fëmijë ndërsa 40 të tjerë të rritur. Katër pacientë janë ndalur për mjekim në spital, ku dy prej tyre janë operuar”, thanë Gajur Kadriu, Drejtor I “Makedonija Pat”.

Nga ana tjetër komunikacioni nëpër të gjitha rrugët shtetërore po zhvillohet me vështirësi dhe në kushte dimërore nëpër rrugë të lagështa dhe me shtresa dëbore ndërsa një pjesë e akseve janë pjesërisht ose tërësisht të mbyllura.

Rruga rajonale Tetove-Jazhince që shpie drejt Kosovës gjate gjithë natës ka qenë e bllokuar nga orteku i borës që ka sjell era. Si pasojë e dëborës që ka arritur deri në dy metra, një numër i madh i makinave kanë mbetur gjatë gjithë natës të bllokuara në afërsi të kufirit. Nga ‘Rrugët e Maqedonisë’ thonë se era e fuqishme e ka bërë të pamundshëm pastrimin e tërësishëm të rrugës./alsatm