Avziu: Dhuna, njësiti anti-terror dështoi

Natën e 27 prillit në Kuvend mungoi njësiti anti-terror pranë njësive speciale në MPB. Ky njësit është i angazhuar për mbrojtjen dhe intervenimin në objektet e rëndësisë së veçantë sikurse qeveria, parlamenti, aeroportet, universitetet si dhe institucionet e tjera të rëndësishme. Ministria e Brendshme posedon maketat e të gjitha institucioneve publike si bazë për intervenime në rast të nevojave për evakuimin e personave me ose pa imunitet. Këto masa merren edhe kur institucionet sulmohen, vendosen mjete eksplozive, hapet zjarr, uzurpohen nga protestues të dhunshëm apo edhe dëmtohen nga fatkeqësi natyrore. Institucionet shtetërore në përgjithësi posedojnë dalje dhe korridore të cilat shfrytëzohen në situata të veçanta. Por njësiti në fjalë mungoi në të dyja rastet kur u kërcënua jeta e deputetëve në kuvend. Fillimisht nuk intervenoi për neutralizimin e protestave të dhunshme dhe evakuimin e deputetëve. Së dyti, njësiti nuk u shfaq në Kuvend edhe pas alarmit se brenda objektit është vendosur një mjet shpërthyes. Kuvendi i Maqedonisë këtij njësit të veçantë pranë MPB-së i mundëson intervenim që nga Shtëpia e Armatës mbrapa Kuvendit, përmes korridoreve nëntokësore deri tek podrumet e Kuvendit nga ku edhe njësitet speciale mund të ndërmarrin intervenime për neutralizim. Natën e 27 prillit një veprim i tillë nga ky njësit nuk u ndërmor edhe pse ka kompetenca të veprojë edhe pa autorizime speciale. Që nga janari i këtij viti, njësiti në fjalë nga Shërbimi qendror i policisë ka kaluar në kuadër të Byrosë për Siguri Publike. Kjo hedh dyshime se ekipi special i cili duhej të ishte në krye të punës bashkë me uniformat e tjera kanë qenë të keqpërdorur dhe të ndikuar politikisht nga drejtori i byrosë Mitko Çavkov dhe eprorët e tjerë. Ekspertët vlerësojnë se me manipulimin e njësitit për ndërhyrje të posaçme nëpër institucione publike, organizatorët e kanë më të lehtë zbatimin e skenarëve.