Aziri: 22 nëntori- ngjarjet kryesore do të zhvillohen në Shkup dhe Manastir

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Maqedonisë, Valmir Aziri në një intervistë për Radio Shkupin, shpalosi detaje të hollësishme rreth organizimit të 22 nëntorit, ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Në intervistë, sekretari Aziri theksoi që roli i tij në organizimin e kësaj nisme është si koordinator, ndërsa realizohet nën patronazhin e zëvendës-kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Hazbi Lika. Ai përmendi edhe datat ku vetëm se kanë nisur aktivitetet që nga data 14 nëntor ku një ekip artistësh janë dërguar tani më në Manastir për të realizuar koloninë artistike ku do të pikturohen figurat e 11 komisionerëve në Kongresin e Manastirit dhe të njëjtat do të ekspozohen në qytetin e Alfabetit me rastin e 109 vjetorit. Ngjarjet kryesore do të zhvillohen në Shkup dhe Manastir.

Më 21 nëntor, në Manastir do të realizohet tribuna shkencore e cila do t’i kushtohet Ditës së Alfabetit. Të pranishëm në këtë tribunë do të jenë studiues të Albanologjisë nga Institucionet shkencore të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Më pas, më 22 nëntor në Manastir, do të vizitohet Muzeu i Alfabetit teksa e tërë ngjarja do të përmbyllet me koncertin solemn i cili tradicionalisht organizohet në këtë vend. Në koncert parashihet të marrin pjesë figura të shquara shqiptare, minstra dhe pjesëmarrës nga komuniteti ndërkombëtar. Në Shkup gjatë 22 nëntorit, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë do të priten dhe nderohen në mënyrë solemne doajenët e arsimit të gjuhës shqipe, transmeton Antpress.mk