Balancimi i njësive zgjedhore, partitë larg kompromisit

Partitë politike parlamentare janë larg kompromisit për balancimin e njësive zgjedhore. Për këtë çështje koordinatorët do të diskutojnë nesër me kreun e Kuvendit, por sipas paralajmërimeve nuk pritet ndonjë lëvizje para. Deputeti i BDI-së Rafiz Aliti, thotë se ka kohë dhe mundësi për balancimin e njësive dhe se kjo gjë duhet bëhet në përputhshmëri me Kushtetutën.

“Është obligim ligjor i çdo grupi parlamentar, i çdo deputeti që ne të kontribuojmë të respektohet ligji në këtë rast. Por ky obligim është edhe i çdo subjekti politik, e sidomos atyre që janë të përfaqësuara në Kuvend, pasi që KSHZ-ja i është drejtuar Kuvendit në këtë rast dhe Kuvendi është më i thirrur që të respektohet ligji. Ne shkojmë në zgjedhje të parakohshme, pikërisht për atë se opozita maqedonase u thirr në atë se nuk ka pasur zgjedhje të rregullta dhe demokratike”, deklaroi deputet i BDI-së, Rafiz Aliti.

Analistët nga ana tjetër thonë se nuk mund të ketë zgjedhje të lira pa balancimin e njësive zgjedhore dhe kushtetutshmërinë e ligjit për PSP-në. Albert Hani vlerëson se kjo mund të jetë edhe dëshira e vet liderëve.

“Jo vetëm që ka mundësi që zgjedhjet të shtyhen, por ka edhe interes të madh nga liderët e partive politike, që këtë temë ta anashkalojnë duke lënë hapësirë sa më të madhe që zgjedhjet e ardhshme të bashkëngjiten me ato lokale”, tha analisti Albert Hani.

Por qytetarët e anketuar nga ALSAT shprehen të lodhur nga siç thonë lojërat politike.

“Nëse do të dish nuk më intereson se jemi të ftohur nga politika, është turp at atë flasin për politikë”.

“Zgjedhje duhet të ketë por të jenë reale duhet më kanë, e jo vjedh vota andej e vidh këndej po të jenë të drejta”.

“Zgjedhje patjetër, patjetër duhet të ketë zgjedhje”.

“Të nevojshme janë por populli e ka humbur besimin tek partitë tona populli nuk është i kënaqur nga partitë tona”.

VMRO DPMNE-ja këmbëngul për zgjidhjen e problemit vetëm me njësinë e gjashtë zgjedhore. LSDM-ja propozon kalimin në sistem me një njësi zgjedhore. Nga ana tjetër BDI-ja propozon rishikimin e kufijve të pesë njësive për të evituar shkeljet ligjore edhe me numrin e ulët të votuesve në njësitë tre dhe katër, kurse partia e Thaçit, kërkon uljen e kriterit ligjor në dallim prej minus-plus 1% ose përshtatjen e numrit të votuesve me numrin e deputetëve për çdo njësi zgjedhore.

Adrian Kerimi