Bardhyl Zaimi:Momenti i imperativit shqiptar

Momenti i imperativit shqiptar

Diskurset e fushatës parazgjedhore përfunduan. Në horizont po shfaqet një moment vendimtar për të ardhmen e shqiptarëve në shtet në përputhje me aspiratat e vullnetit shqiptar për barabarësi dhe dinjitet, pavarësisht se për cilën parti votuan. Tashmë është koha t’i jepet përgjigje këtij vullneti plural që në esencë artikulon ndryshimin e statusit politik të shqiptarëve. Ka ardhur koha që në mënyrë të mëvetësishme, racionale dhe me shumë përgjegjësi politike, partitë shqiptare të tejkalojnë veten, somnabolizmin partiak, që vetëm njëherë të jenë këmbëngulës për të rrubullaksuar angazhimin politik për barabarësi në shtet në të gjitha nivelet e funksionimit të tij.
Larg “romantizmit” politik bjerrakohës që gjithnjë ka përfunduar në margjinat e pushtetit, ky moment politik, ka brenda vetes shansin e madh demokratik për të kristalizuar dhe fuqizuar ekzistencën shtetëformuese shqiptare si realitet historik, kulturor dhe politik në shtetin e Maqedonisë, pa ekuivoke, por me dinjitet reprezentimi politik. Dhe, ky moment, padyshim kërkon impenjimin kombëtar dhe demokratik për ta ndryshuar rrënjësisht konceptin unitar të shtetit në përputhje me realitetin multietnik, në përputhje me ekzistencën e dy etnikumeve. Ky moment, duhet t’i jap fund dominimit të njëanshëm unitarist që gjatë kohë i ka margjinalizuar dhe getoizuar shqiptarët.
Ky duhet të jetë momenti i esëllimit shqiptar, i përbashkimit konceptual për ndryshim esencial në shtet, që do t’i përgjigjej aspiratës historike të shqiptarëve. Vetëm ngritja e këtij gardi politik që e nënkupton këtë mbrothësi shqiptare mund t’i japë kuptim këtij momenti që vjen edhe si impuls i bashkësisë ndërkombëtare, që vjen si një paradigmë e re e vlerave demokratike. Përfundimisht duhet t’i thuhet jo logjikës së deritashme të pjesëmarrjes në pushtet në formë lëmoshe që ka prodhuar torzon e ekzistencës kombëtare.
Ky është momenti kur imperativi kombëtar duhet të ngadhënjej mbi intersat e ngushta partiake, mbi lukunitë që deri më tash e kanë kontrabanduar vullnetin shqiptar. Po, një pakt shqiptar për fatin e shqiptarëve në shtet. Një pakt që njeh aspiratën për barabarësi, që njeh përmasën historike, që njeh gjakimin e demosit tash e 25 vjet, që njeh dinjitetin shqiptar të instaluar në tërësinë shtetërore si gjuhë, kulturë, ekonomi e arsim.
Çdo lajthitje jashtë këtij misioni do të jetë një rënie tjetër e pafundme, që do të kënaq ambciet partiake, por do të varros ekzistencën e shqiptarëve në shtet. Është koha të mendoni për “baltën e baltës shqiptare” dhe jo për teket partiake. Sepse të jeni të sigurt partitë janë të përkohshme, ndësa kombi mbetet i përjetshëm.