Bashkëluftëtari kujton momentet kur e takoi ushtarin e UÇK-së, të plagosur: Kur e pash, më rrodhën lotët, e lash për të vdekur! (Foto,+18)

Bashkëluftëtari kujton momentet kur e takoi ushtarin e UÇK-së, të plagosur: Kur e pash, më rrodhën lotët, e lash për të vdekur! (Foto,+18)

Ka qenë një fotografi e Besim Garipit, ajo e cila ka provokuar ish-bashkëluftëtarët e tij, për të rikujtuar ato momente të vështira të vitit 1999, dhe për të rrëfyer të gjithë ata, në mënyrën e vet, një ngjarje prekëse, sigurisht jo të vetmen, të kohës së luftës së fundit në Kosovë.

Bëhet fjalë përfillim qershorin e vitit 1999, kur luftëtari i UÇK-së, Besim Garipi nga Bresana e Opojës, që ishte vetëm 18 vjeç, ishte plagosur nga granata e minahedhësit të forcave serbe, në Majën e Pashtrikut, shkruan Telegrafi.

I pari ka qenë Ridvan Tahiri, një ish-ushtar i UÇK-së nga Drenica, ai që është emocionuar edhe një herë me fotografinë e postuar në Facebook nga Garipi, duke u provokuar që të rrëfejë një ngjarje që ka të bëjë pikërisht me të, sa prekëse po aq edhe interesante, të asaj kohe.

Siç ka thënë ai, në kohën kur e kishte takuar Garipin të plagosur, e vetmja gjë që i kishte shkuar ndër mend kishte qenë se ai nuk do të mund të mbijetonte, gjithsesi duke u bazuar në gjendjen e rëndë që e kishte parë të plagosurin.

“Eh djalo, më ktheve shumë kohë mbrapa, sidoqoftë, dy pika lot borxh mi ke!”, ka qenë koment i parë i Tahirit në fotografinë e Garipit.

Më pas ai, duke rrëfyer ngjarjen, ka bërë të ditur se pikërisht atë ditë, derisa po kalonte kah spitali ushtarak, ishte ndalë për të vizituar një ushtar tjetër dhe aty kishte takuar edhe Garipin.

Gjendja e tij ishte aq e rëndë, sipas tij, sa që ai kishte menduar se ushtari i plagosur nuk kishte edhe pesë minuta jetë.

“E kam dëgju vetëm një fjalë të tij nga goja që mezi fliste: ‘E dua atë uniformën tënde, të lutem ma fal’ dhe i ka mbyllë sytë. Në atë moment kam mendu që ka rënë në koma, sepse kishte plagë të rëndë. Kam shku e kam zhvesh uniformën shpejt e shpejt, ia kam lënë te shtrati, e kam puth në ballë dhe aty më ka plas vaji –më pas gjithmonë kam menduar që ka vdekur. Por pas shumë kohësh, thënë më mirë, pas shumë vitesh e kam kuptuar që ai është gjallë dhe shëndosh e mirë. Kur e kam parë të plagosur më kanë rrjedhur lotët, por edhe kur e kam takuar pas disa vitesh, prapë më kanë rrjedhur lotët”, ka rrëfyer Tahiri.

Për ngjarjen prekëse të ish-ushtarit të UÇK-së kanë rrëfyer edhe bashkëluftëtarët e tjerë.

Rol të rëndësishëm në shërimin e këtij ushtari të UÇK-së, sipas tyre, ka luajtur mjeku Craig Jurisievic nga Australia.

Siç kanë rrëfyer më tej ata, Garipi, pasi ka marrë ndihmën e parë në fushëbetejë, i është nënshtruar intervenimit definitiv kirurgjik në Spitalin fushor ushtarak të Krumës (Spitali NORWAC).

Këtë e ka konfirmuar edhe mjeku Hatim Baxhaku, nga Opoja, atëbotë pjesë e këtij spitali të improvizuar, tanimë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Një pjesë prekëse, po aq sa edhe interesante të kësaj ngjarje, e rrëfen edhe Afrim Firaja, një tjetër ish-ushtar i UÇK-së.

“Këtë djalë e kanë bërë operacion pa anestezion, e kanë shpu mes brinjëve. Plagën e kanë kap me një kapëse, kurse pjesën ku ka dalë copa e granatës e kanë qep më gjatë. Pjesën mes dy plagëve e kanë shpu me një metal, ka qen diku i gjatë 35 cm dhe aty i kanë futur atë metalin, diku 10 cm, pastaj kanë fut zorrën që shihet në fotografi. Mos të ishte mjeku Craig dhe Zoti, ky sot nuk do të ishte gjallë”, ka shkruar Firaja.

E bashkëluftëtari tjetër i tij, nga po i njëjti fshat, Kasam Muhameti ka publikuar një fotografi, e cila sipas tij është e mjekut australian, i cili, përveç Garipit, gjatë asaj kohe ka mjekuar edhe shumë luftëtarë të UÇK-së.

Craig Jurisevic, mjek-kirurg, nga Australia, me prejardhje sllovene

“Ky është Craig Jurisevic, mjek-kirurg, nga Australia, me prejardhje sllovene. Ky i nderuar, i veshur me uniformë të UÇK-së, qe aktiv në vijë të frontit më 1999 në Zonën Operative të Pashtrikut, dhe i doli në ndihmë shumë të plagosurve të UÇK-së. Njëri nga të plagosurit, në gjendje të rëndë, është Besim Garipi. Falë ndihmës-ndërhyrjes kirurgjike të këtij mjeku, sot Besimi është shëndosh e mirë. Jo vetëm kaq – ky mjek ka botuar edhe librin ‘Duart e Përgjakura’ (i përkthyer më 2012 nga anglishtja në gjuhën shqipe), e që ia ka kushtuar luftës së UÇK-së, si dhe ka përshkruar veprimtarinë e tij gjatë asaj kohe. Respekt dhe mirënjohje për këtë mjek human, që erdhi nga një vend i largët për të na ndihmuar”, ka shkruar Muhameti.

Ai gjithashtu ka publikuar edhe një fotografi tjetër, e cila sipas tij është në një shpellë, në zonën kufitare të Hasit, të cilën ky mjek e ka improvizuar ambulancën e tij-edhe kirurgjike.

Shpella, në zonën kufitare të Hasit, e cila ishte improvizuar në ambulancë dhe për kirurgji

Ndryshe, protagonisti kryesor i këtij rrëfimi, Besim Garipi, i lindur më 1981, momentalisht jeton me familjen e tij në Zvicër dhe gëzon shëndet të mirë.

Ai për Telegrafin ka rrëfyer ato momente të vështira të jetës së tij.

Sipas tij, plagosja ka ndodhur nga granatimet, në vijë të frontit, e që ka qenë një pikë të cilën forcat serbe e kanë pas shënjestër.

Bashkëluftëtarët duke e bartur Garipin e plagosur

“Pasi jam plagosur, është organizuar që forcat e UÇK-së të qëllojnë me artileri, në mënyrë që të krijohen mundësi që të më largojnë nga aty. Ka qenë shumë e vështirë për të gjithë që të më ndihmonin për tu larguar, ka qenë shumë e rrezikshme”.

“Fillimisht aty është bërë një intervenim i vogël, sa për të ndalur gjakderdhjen, do të thosha. Pastaj më kanë dërguar tek shpella (spitali i improvizuar), tek vija e dytë e frontit, aty edhe ku intervenimi është bërë nga mjeku australian. Në shpellë ka qenë rreziku më i madh kur është bërë intervenimi, gjithçka ka ndodhur pa anestezion. Prej aty jam dërguar në bazë të UÇK-së në Recan. Deri aty jam dërguar me lesë, i shoqëruar edhe nga mjeku australian, shkaku i gjendjes së rëndë. Aty më kanë shikuar edhe njëherë, dhe nga aty me veturë ushtarake jam dërguar në spitalin ushtarak të UÇK-së në Krumë të Hasit, për trajtim, ku gjendjen time e kanë përcjellë, përveç mjekëve kosovarë, edhe disa danezë”, ka rrëfyer Garipi.

Prej spitalit të Krumës, ka shtuar më tej ai, ku ka qëndruar disa ditë, pastaj, kur edhe kishte përfunduar edhe lufta, është sjellë në Spitalin e Prizrenit, ku ka qëndruar edhe aty disa ditë.

“Përpos kontrolleve të mëpastajme, nuk kam bërë ndonjë intervenim më. Probleme më paraqiten edhe tani, por jo serioze. Thënë shkurt, në çfarë gjendje kam qenë, dhe në çfarë gjendje jam tani, kjo ka mundur të ndodh vetëm falë vullnetit të Zotit”, përfundon rrëfimin e tij, ish-ushtari i UÇK-së, Besim Garipi.