Bashkimi ndal Vetëvendosjen?

 

KQZ nuk di çka të bëjë me kërkesën e Vetëvendosjes për t’u shndërruar në parti politike, sepse në Programin dhe në Statutin e saj insiston në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Synimet e Lëvizjes Vetëvendosje për t’u shndërruar në parti politike duket se kanë hasur në vështirësi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bazuar në burimet e informuara mirë.

Problemi kryesor procedural ka të bëjë me formulimet në Programin dhe në Statutin e Vetëvendosjes, të cilët janë të domosdoshëm që një parti të regjistrohet në KQZ, e pastaj të certifikohet edhe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme.

Udhëheqësia e këtij entiteti politik në Programin dhe Statutin e vet ka përmendur synimin e vet themelor që është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Një formulim i këtillë është në kundërshti me Nenin 3 të Kushtetutës së Kosovës, në të cilin thuhet: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.

Dihet që ky Nen në fakt është reflektim i Parimeve Prijëse të Grupit të Kontaktit për adresimin e statusit të Kosovës – tetor 2005, si dhe të Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari – mars 2017.

KQZ, siç ka kuptuar Politiko.net, është në hall çka të bëjë me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për t’u shndërruar në parti politike, e cila ndryshe është parakusht, midis tjerash, që kjo Lëvizje të ketë kapacitet legal për të bërë koalicione parazgjedhore. Si Nismë Qytetare, kjo e drejtë nuk i takon Lëvizjes Vetëvendosje.

Nëse do të aprovohet kërkesa e Vetëvendosjes, kjo do të thoshte që KQZ nuk i përmbahet Kushtetutës së Kosovës. Dhe anasjelltas.

Por, në anën tjetër, situata nuk është edhe aq e qartë, sa duket në shikim të parë.

Në mesin e entiteve politike që tashmë janë të regjistruara në KQZ është edhe Lëvizja për Bashkim, që ka për Kryetar Valon Muratin, Ministrin për Diasporë në Qeverinë e Kosovës. Lëvizja për Bashkim ka në programin e saj bashkimin e të gjitha trojeve me shumicë shqiptare me Shqipërinë. Ky entitet politik për më shumë është pjesë përbërëse e koalicionit qeveritar që nga dhjetori i vitit 2014, kur u arrit marrëveshja në mes të PDK’së dhe LDK’së për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Në fakt, Lëvizja për Bashkim është regjistruar si subjekt politik para se Kosova të bëhej shtet i pavarur dhe para se Kushtetuta e Kosovës të hynte në fuqi – në qershor të vitit 2008. Në atë kohë, Misioni i OSBE’së, si Shtylla e Tretë e UNMIK’ut, ka qenë përgjegjës për këto procedura të regjistrimit dhe certifikimit të subjekteve / partive politike, si dhe për organizimin e zgjedhjeve. Në vitet 2000-2008, OSBE – dhe UNIMK’u – nuk ka pasur ndalesa legale për partitë / entitetet politike shqiptare që pretendonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ose edhe krijimin e një shteti të përbashkët shqiptar.

Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), madje, pati dalë me idenë e krijimit të Unionit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Megjithatë, prej vitit 2008 e këndej, gjërat kanë ndryshuar, por KQZ ka trashëguar Listën e subjekteve nga Misioni i OSBE’së, dhe kështu Lëvizja për Bashkim nuk ka pasur nevojë fare të aplikojë për regjistrim në KQZ.

Sidoqoftë, duket që tema e Lëvizjes Vetëvendosje, e regjistrimit si parti, dhe e Lëvizjes për Bashkim do të jetë shumë aktuale në ditët vijuese, kur KQZ duhet të marrë vendim si ta trajtojë përfundimisht aplikacionin e Vetëvendosjes. /