Batuta e Ramës: Në Shqipëri s’mërzitesh kurrë, ndryshe nga vendet e BE…

Kryeministri Edi Rama fton biznesin polak që të eksplorojë potencialet e Shqipërisë për të investuar në sektorë, të ndryshëm të cilët sipas tij ende nuk janë shfrytëzuar në kapacitetet e duhura.

Gjatë Forumit Ekonomik Shqipëri-Poloni, Rama përmendi industrinë fasone, atë minerare, fasonerinë si dhe sektorin bujqësor që ofrojnë sipas tij, mundësi të mira për investime.

“Ka një zhvillim të rëndësishëm për manifakturën. Po hyn në një cikël transformimi për të shkuar nga industrua fasone në industrinë me cikël të mbyllur. Kostot e punës janë ende shumë të ulëta, krahasuar me vendet e tjera të BE-së.

Edhe në bujqësi po shikojmë disa shenja inkurajuese të një trasnforimi që ka sjellë si rezultat të drejtpërdrejt rritjen e eksporteve të Shqipërisë vitet e fundit”, u shpreh Rama.

Duke e cilësuar si vend ekzotik të mbizotëruar nga dielli në pjesën më të madhe të vitit, Rama tha se Shqipëria nuk është e mërzitshme, ndryshe nga vendet e BE apo dhe Polonia.  “Shqipëria është një vend që siç mundet ta shikoni edhe sot, pasi u nisët në mëngjes me dëborë, ka një diell me hark kohor shumë të gjatë të vitit. Mund të ketë shumë gjëra që janë ende për t’u rregulluar, por ka një gjë që është e sigurt, në Shqipëri nuk mërzitesh kurrë. Gjë që s’mund të thuhet për Poloninë apo dhe vendet e tjera të BE-së. Ndoshta kur të bëhemi anëtar të BE-së, do jemi edhe ne të mërzitshëm.  Shumë njerëz vijnë nga jashtë me paragjykime, ose ka njerëz që s’e marrin fare rrugën për në Shqipëri, por ju siguroj se nuk ka një njeri të vetëm që pasi vjen dhe njeh Shqipërinë, nuk do të kthehet përsër”, u shpreh Rama.

Duke u ndalur te sektori i hidrokarbureve, Rama tha se kompania naftënxjerrëse Shell nuk ka pushuar aktivitetin në Shqipëri, por ka pezulluar punën për shkak të rënies së çmimit të naftës.   “Kompania Shell ka mbyllur punën për shkak të rënies së çmimit të naftës. Programet e eksplorimit të kësaj kompania nuk janë mbyllur në Shqipëri, por janë zhvilluar më tej me kontrata të reja”, u shpreh Rama.  Nga ana e saj, kryeministrja e Polonisë, Szydło, u shpreh se biznesi polak ka interes për zgjerimin e aktivitetit ekonomik në Shqipëri. Ajo vlerësoi reformat e qeverisë

“Qeveria ka krijuar kushte për zhvillimin e biznesit në sektorë të ndryshëm. Mes dy vendeve ka potenciale të pashfrytëzuara, si minierat dhe bujqësia. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Polonisë është në zhvillim sistematik. Eksportet shqiptare në Poloni janë rritur rritur me 27%. Eksporti polak në Shqipëri është rritur me 9%. Ka hapësirë dhe terren për të zgjeruar bashkëpunimin kur bëhet fjalë për çështje ekonomike. Shifrat që përmenda janë të kënaqshme e sigurisht që mund të bëjmë edhe më shumë. Forumi i sotëm ekonomik është fillesa e një bashkëpunimi shumë të mirë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i një rëndësie themelore për stabilitetin dhe sigurinë. Është përparësia jonë dhe do të bëjmë gjithçka për të mbështetur Shqipërinë. Suksese dhe ju përgëzoj për projektet dhe marrëveshjet që nënshkruajmë sot”, u shpreh kryeministrja polake, Beata Szydło./kohajone