Bayern Munich refuzon pjesëmarrjen në çmendurinë e transfertave

Bayern Munich nuk do të marrë pjesë në çmendurinë aktuale të transfertave, çmimet e të cilave janë shpërthyese, madje do të heqë dorë menjëherë edhe nga fitorja e Ligës së Kampioneve, theksoi presidenti Uli Hoeness për agjencinë sportive SID.

“Nuk dëshiroj të blej një lojtar për 150 apo 200 milionë euro, nuk dëshiroj të marr pjesë në një çmenduri të tillë, janë gjëra që ne i refuzojmë plotësisht te Bayern”, deklaroi figura historike e klubit në Singapor, ku ekipi po përgatitet në kuadër të një evenimenti të organizuar nga sponsori SAP.

Pra, mbajtësi i rekordit të numrit të titujve në Bundesligë dhe pesë herë fitues i Ligës së Kampioneve e rishikon ambicien e tij në rënie.

“Për aq kohë sa të tilla çmenduri do të ndodhin në tregjet e transfertave, nuk do të jetë i mundur planifikimi i një fitoreje në Ligën e Kampioneve”, theksoi ai duke shtuar “ne dëshirojmë të bëhemi kampionë të Gjermanisë”.

Sipas informacioneve të shtypit, Paris SG po përpiqet aktualisht të marrë yllin brazilian të FC Barcelone Neymar për 200 milionë euro, ndërkohë që Real Madrid kishte arritur një marrëveshje në parim me Monacon për sulmuesin francez, Kylian Mbappe për 180 milionë euro.

Në Angli, Manchester City është ekipi që ka shpenzuar më shumë me rreth 220 milionë euro për rekrutimin e Benjamin Mendy, Bernardo Silva, Kyle Walker, Ederson, Danilo dhe Douglas Luiz.