BDI nesër vendosë për hyrje në Qeveri

Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim në seancën e djeshme e pranoi versionin për përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa, siç deklaruan përfaqësues të partisë, janë afruar qëndrimet me LSDM-në.

Të buzëqeshur dukeshin pothuajse të gjithë anëtarët e kryesisë së zgjeruar të BDI-së të cilët pak para mesnate mbaruan mbledhjen, ku u dha drita jeshile për një përafrim me LSDM-në, njoftoi Televizioni 21.

I tillë doli në fund edhe kryetari Ali Ahmeti, i cili për ta dhënë lajmin e referojë të flasë Bujar Osmanin, zëdhënësin e partisë.

“Kryesia e BDI-së shteri të gjitha argumentet sa i takon ligjit për gjuhën shqipe, dhe në fund edhe unanimisht dha pëlqimin për tekstin e këtij ligji. Ashtu ne përmbyllëm këtë pjesë të debatit dhe prej ditës së premte do të fillojmë me pjesët tjera të harmonizimit të mundshëm të një platforme për bashkëqeverisje”, tha Bujar Osmani.

Plotë gjashtë orë ka zgjatur takimi i së mërkurës, i kryesisë së zgjeruar të BDI-së, e cila pak minuta pas mesnate nxori publikisht vendimin se po afrohen qëndrimet me LSDM-së, bazuar në ofertën që social-demokratët i bënë partive politike shqiptare.

Rafiz Aliti, pas takimit tha se draft-ligji “mund të mos jetë i përkryer”, por kryesia dha pëlqimin për të vazhduar tutje me LSDM-në.

“I kemi dhënë mbështetje parimisht (draft-ligjit për përdorimin e gjuhëve). Ngel që kryetari me grupin negociues të takohen me përfaqësuesit e LSDM-së”, tha Aliti.

BDI ndërkaq insiston se vendimi i kryesisë megjithatë nuk është “vendim për bashkëpunim qeveritar”, sepse ende ka tema të hapura për të diskutuar me LSDM-së, para dhënies së mandateve që i mundësojnë Zoran Zaev të jetë kryeministër i ardhshëm.

“Tash ka çështje që kanë mbetur për t’u diskutuar, eventualisht për harmonizim të platformave, për mënyrë të përkrahjes së ndërsjell. Por, gjithashtu ka edhe tema të tjera, të cilat do t’i hapin ditën e premten. Me rëndësi është se sot kemi përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi”, sqaroi Bujar Osmani.

Në këtë mbledhje të zgjeruar të kryesisë së BDI-së, dy nga pjesëmarrësit thanë se nuk është hapur ende tema e përbërjes së kabinetit të ardhshëm qeveritar, por se kjo gjë pritet të shtrohet tek organi vendimmarrës i kësaj partie.

Për këtë gjë, sipas tyre, pritet të vendos vet kryetari i BDI-së.