BDI: Së pari rezultatet përfundimtare pastaj bisedimet për koalicion

Partitë politike shqiptare në Maqedoni akoma nuk janë prononcuar për çështjene e koalicionimit dhe formimin e Qeverisë së ardhshme. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) theksuan për TV21 se presin rezultatet përfundimtare nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe se pastaj do t’i qasen çështjes së koalicionimit me partitë e tjera për formimin e Qeverisë së re, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Një nga opsionet e kësaj partie është thirrja e një takimi nga kryetari i tyre Ali Ahmeti me gjitha partitë tjera shqiptare për një platformë të përbashkët që ka si synim barazinë. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani një javë më parë theksoi se platforma e tyre bazë do të jetë kusht për Qeverinë e re.

“BDI ka legjitimitet të pastër për të përfaqësuar shqiptarët dhe do të bisedoj mi cilindo partner të koalicionit eventual vetëm në bazë të 5 zotimeve të saja të dhëna në platformën e saj. Këtu nënkuptohet gjuha shqipe e barabartë , ndarja e buxhetit në bazë të barabartë, zgjidhja e çështjes së emrit dhe integrimi i Maqedonisë në Nato. Këto janë kërkesat e BDI-së për cilindo partner të koalicionit’’, u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Nga Lëvizja BESA thonë se mbeten pas atyre qëndrimeve të shprehura edhe më parë.
“Lëvizja Besa do të pranojë bisedime për formimin e qeverisë së ardhshme me kusht vetëm nëse në të nuk do të ketë persona të inkriminuar ose persona të dyshuar nga Prokuroria Speciale Publike. Pastaj do të kishim filluar bisedimet eventuale në qoftë se pranohet diskutimi për ridefinimin juridiko-kushtetues të shtetit dhe kushti i tretë është që Marrëveshja për qeverinë e re të jetë transparente për tërë publikun dhe të jetë e afatizuar me kohë’’, ka thënë Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se kushtet e tyre vazhdimisht janë të përsëritura që sipas tyre janë: zyrtarizmi i gjuhës shqipe në gjithë vendin, modeli binacional i funksionimit të sistemit dhe institucioneve, buxheti me prerje lokale dhe vazhdimi i mandatit të PPS-së. Nga PDSH nuk janë prononcuar lidhur me çështjen e koalicioneve. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve dhe pas konstituimit të përbërjes së re parlamentare, presidenti Gjorgje Ivanov do ti ndajë mandatin partisë me numër më të madh të deputetëve, e cila nis bisedimet për formimin e Qeverisë së re.