BDI: Të gjithë jemi pro Ahmetit, nuk ka ndasi

Bashkimi Demokratik për Integrim e demanton kronikën e sotme në TV Alsat ne lidhje me mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të BDIsë dhe në vecanti apostrofimin e pavërtetë të emrave të anëtarëve të Kryesisë së partisë për gjoja përkrahje të njërës apo tjetrës parti maqedonase të cilën e hedhim poshtë si tërësisht të pasaktë dhe spekulativ.

Në mbledhjet disajavore të Kryesisë së BDIsë është diskutuar në mënyrë analitike dhe konstruktive duke marrë parasysh gjithëmonë interesat e shqiptarëve, BDIsë si dhe të gjithë qytetarëve, andaj dhe cdo përcaktim i djeshëm ishte i njëzëshëm pa asnjë përcaktim pro njërës ose tjetrës parti maqedonase, por vetëm pro Kryetarit Ali Ahmeti, BDIsë, shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të vendit.

Lusim mediat që ta përkujdesen për seriozitetin në raportimin e tyre dhe të përmbahen tërësisht nga lajmet e rime spekulative, ndërsa ftojmë publikun që të merr me rezervë lajmet e tilla të pakonfirmuara dhe pa deklarata zyrtare.