BDI: Ujësjellës në Pollog, ujë cilësor për mbi 100 mijë banorë

Kandidatët e Bashkimit Demokrtik për Integrim të Nj.Z. 6, promovuan projektin për ndërtimin e ujësjellsit rajonal, i cili do të përshkojë zonën e Pollogut. Kandidatët bashkë me ministrin e Ambientit Jetësor z.Bashkim Ameti dhe udhëheqësit e komunave Zhelinë, Bogovinë, Bërvenicë e Vrapçisht, njoftuan se përmes projektit në fjalë do të shtohet fuqia furnizuese me ujë të pijshëm dhe cilësor për të gjithë zonën e Pollogut.
Kandidatja për deputete Shpresa Hadri, me këtë rast tha se projekti ndërlidhet me zotimet e BDI-së, ato për zhvillim të barabartë ekonomik, me qëllim të ngritjes së standardit jetësor të qytetarëve.
“Shpresojmë se projektin ta shtyjmë drejtë realizimit sa më parë, ky nuk është thjesht premtim parazgjedhor, pasi që BDI-ja çka ka premtuar e ka realizuar. Theks të veçantë do t’i japim bashkëpunimit mes pushtetit lokal e atij qendror që ky projekt të realizohet sa më parë në mandatin e ardhshëm”, tha znj.Hadri.
Ministri i mjedisit jetësor Bashkim Ameti para të pranishmëve njoftoi se, edhe pse rajonit nuk i mungon uji i pijshëm, ky projekt bindshëm do ta përmirësojë cilësinë e tij, por edhe do t’i kënaqë nevojat e popullatës, duke e pasur parasysh dendësinë në këtë rajon.
“Me këtë projekt do të sigurohet sasi e mjaftueshme uji për mbi 100 mijë banorë të këtyre komunave, sasi kjo me cilësi të mirë, duke pasur parasysh prej ku do të sillet ai ujë”, ushpreh ministri Ameti.
Ujësjellësi për furnizim me ujë të Buzësharrit dhe Pollogut është projekt pjesë e platformës ekonomike të BDI-së që ka vlerën 15 milionë euro i cili parashikohet të përfundojë gjatë mandatit të ardhshëm, kurse duhet të financohet nga buxheti qendror në bashkëpunim me atë komunal.