BE zyrtarisht: Kosovës i hiqen vizat sapo të ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi

Në këtë takim pritet që gjatë ditës të miratohen konkluzionet për zgjerimin me të cilat do të ri-përsëritet edhe një herë përkushtimi i BE-së për këtë proces. Pritjet janë që të konfirmohet edhe njëherë që zgjerimi ka një rëndësi strategjike për paqen dhe stabilitetin në Evropë dhe të përsëritet se në këtë proces, BE-ja do të ketë si pikënisje politikën e kushtëzimit dhe meritat individuale të vendeve të përfshira në të.

Në pjesën e konkluzioneve për Kosovën pritet të mirëpritet edhe njëherë hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit e cila krijon një kornizë kontraktuale brenda së cilës Kosova dhe BE-ja do të rrisin bashkëpunimin e tyre dhe të vlerësojnë zhvillimet në raportet mes tyre.

Këshilli i BE-së, sipas draftit të konkluzave të cilat pritet të miratohen sot “mirëpret progresin domethënës në përmbushjen e kërkesave nga udhërrëfyesi i vizave, që kishte quar deri te propozimi i Komisionit në maj të vitit 2016, për të transferuar Kosovën në listën e zonës së Schengenit, përkatësisht lëvizjes së lirë, pa viza.

Më tej thuhet se “Këshilli do të vendosë për heqjen e obligimit për vizat Schengen, sapo Kosova të përmbushë dy kërkesat e mbetura; ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e zi dhe vazhdimin e forcimit të dëshmive për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Këshilli shpreh po ashtu shqetësimin për vazhdimin e krizës politike në Kosovë dhe incidentet e dhunshme që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016.

“U bëhet ftesë të gjitha partive politike dhe akterëve lokal që të tregojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie dhe të ri-angazhohen në dialog konstruktiv, në Kuvend si forumin kryesor për debat politik”, thuhet më tej në draftin e konkluzave.

Nga Kosova kërkohet që të shënoj përparim në zbatimin e MSA-së, në sundimin e rendit dhe ligjit dhe zhvillimin shoqërorë dhe politik të saj.

Ndërkohë, u përsëriten edhe thirrjet si Kosovës ashtu edhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet earritura në dialogun e Brukselit. Aty ritheksohet se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet dyja vendeve do të jetë kushti për përparimin e tyre në rrugën integruese evropiane.

Këshilli kërkon bashkëpunimin nga ana e Kosovës me Gjykatën Speciale.

“Këshilli mirëpret faktin se Kosova i ka përmbushur obligimet e mbetura për themelimin e Dhomave të specializuara dhe Zyrës speciale të prokurorisë për hetimin e dyshimeve për krime ndërkombëtare të kryera gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999. Të gjitha autoritetet e Kosovës duhet të kreyjnë obligimet ndaj kërkesave të tyre për asistencë” thuhet në konkluzionet e Këshillit.

Të martën, pritet që Serbia të hapë edhe dy kapituj negociues me bashkimin Evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Bëhet fjalë për kapitujt 5 për Prokurim publik dhe atë 25 për Hulumtime dhe Shkencë.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili mbrëmë ka pasur takim në Bruksel me Përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini ka thënë se po kthehet në Beograd dhe nuk do të merr pjesë në takimet e radhës (të martën) me BE-në, në shenjë proteste për shkak se Kroacia nuk ka lejuar hapjen e një kapitulli tjetër, atë me numrin 26 që merret me Arsim dhe kulturë.

Kroatët, sipas burimeve diplomatike në BE, kanë rezerva për shkak se Serbia nuk po i respekton të drejtat e pakicave për libra shkollorë në gjuhën amtare.