Befasitë e koalicioneve

 

Dy partitë më të mëdha politike në Kosovë, PDK dhe LDK kanë zënë hapat e fundit ligjor, për të lidhur koalicione me partitë më të vogla politike, me shpresë se do të dalin numër një në zgjedhjet e 11 qershorit.

Befasinë kësaj radhe e ka bërë Partia Demokratike e Kosovës e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e cila në mesnatë ka bërë koalicion me rivalët më të mëdhenj, Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn nga blloku opozitar AAK-NISMA.

Marrëveshja u nënshkrua vetëm pak minuta para se të kaloj afati ligjor i përcaktuar nga KQZ.

Sipas kësaj marrëveshje, kandidati i përbashkët i koalicionit PDK-AAK-NISMA për kryeministër është Ramush Haradinaj. Në listën e përbashkët do të figurojnë 50 për qind të kandidatëve të AAK-NISMA dhe 50 për qind të PDK-së. Listës së këtij koalicioni do t’i prij Kadri Veseli, ndërsa PDK pritet t’i marr numrin më të madh të dikastereve qeveritare.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila përveç se ka nxjerr Avdullah Hotin, kandidat për kryeministër, ka lidhur koalicion me partinë e Behgjet Pacollit, Aleancën Kosova e Re. Po ashtu LDK ka lidhur koalicion me disa parti më të vogla, përfshirë edhe partinë më të re, Alternativën, që drejtohet nga Mimoza Kusari dhe Ilir Deda.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës që drejtohet nga Kadri Veseli, ka lidhur koalicione parazgjedhore edhe me disa parti të vogla, që edhe më herët ka qenë me këtë parti. Veseli sot ka nënshkruar koalicion me Partinë e Drejtësisë, me Alternativën Demokratike të Edita Tahirit, me Lëvizjen për Bashkim dhe disa parti të vogla më pak të njohura.

Kurse e fundit dhe krejt e veçantë, pa asnjë koalicion ka mbetur Lëvizja Vetëvendosje e cila do të garojë e vetme në zgjedhjet e 11 qershorit.

Lufta më e madhe do të zhvillohet ndërmjet dy rivalëve, LDK-së e PDK-së, të cilat edhe do ta drejtojnë qeverinë e re.

Në rast se fiton LDK, atëherë partia e Isa Mustafës obligohet që kryetarin e Kuvendit t’ia ndaj Behgjet Pacollit, e pasi Hashim Thaçi ta përfundoj mandatin, biznesmeni kosovar ta marrë detyrën e presidentit, një post që e ka ëndërruar gjithmonë.

“Jam i bindur se fitorja është me ne. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet dhe me këtë fiton e mira, do të parandalohet e keqja. Së bashku me LDK-në do të arrijmë ta implementojmë programin tonë që garanton rritje ekonomike mbi 8 për qind”, tha Pacolli pas nënshkrimit të marrëveshjes me LDJK-në.

Ndryshe, sipas Kushtetutës, partia apo koalicioni parazgjedhor që fiton më së shumti vota në zgjedhje, e ka të drejtën e zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, e rrjedhimisht edhe formimin e qeverisë së re. Zgjedhjet në Kosovës mbahen më 11 qershor, ndërsa fushata zgjedhore është vetëm 10 ditë pasi zgjedhjet janë të parakohshme.