Bejta: Ne nuk i kemi fjalët e urrejtjes platformë politike

Këshillat Vendore të Lagjes së Sahatit, Tregut të madh, Beg 1 dhe 2, sot ishin nikoqir të kryetarit të Shtabit Komunal Zgjedhor të degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar, z. Nevzat Bejta, si dhe kandidatët për deputetë, z. Talat Xhaferi dhe z. Jamin Sinani.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe në prani të qindra aktivistëve, anëtarëve, simpatizuesve dhe qytetarëve të Gostivarit, kryetari Nevzat Bejta shpaloi të arriturat e Pushtetit Lokal dhe Qendrorë si dhe platformën e BDI-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 Dhjetorit.
“Ne kemi bërë dhe kemi platformë të qartë se çka do të bëjmë në të ardhmen, për ne flasin veprat dhe projektet e realizuara, atë që e premtojmë edhe e realizojmë. Jemi Komuna e vetme në Maqedoni dhe rajon që realizuam mbi 98 % platformën e premtuar zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Pa mbaruar mandatit, kemi edhe 6 muaj, themi që e kemi realizuar platformën zgjedhore në masën 98 %”, tha mes tjerash kryetari i Shtabit Komunal Zgjedhor të Gostivarit, z. Nevzat Bejta, i cili me këtë rast theksoi që të gjitha investimet e realizuara që arrin vlerën afër dyzet milion euro, u bënë edhe me mbështetjen e deputetëve dhe ministrave shqiptar.
“Neve na duhet një fitore e madhe. Si qytet, dëshiroj të jemi shembull për të gjithë. Tu themi të gjithëve që punët e mira vlerësohen nga popullata. Fitorja bindëse në zgjedhjet Parlamentare, do të ishte një motiv i fortë për ne për të vazhduar punën tonë pa orar dhe në shërbim të shoqërisë shqiptare”, vijoi tutje Bejta.
Ne, tha Bejta, nuk merremi me kritika dhe nuk i kemi fjalët e urrejtjes platformë politike.
Partitë e tjera, shtoi ai, nuk flasin për ide, projekte dhe platformën e tyre politike, por merren me akuza dhe sulmojnë BDI-në.
Kryetarët e Këshillave Vendore dhe kryetarët e Shtabeve Zgjedhore që u vizituan nga  kryetari i Shtabit Komunal Zgjedhor të degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar, z. Nevzat Bejta u shprehen një zëri që në 10 ditët e ngelura të fushatës  zgjedhore do të angazhohen në terren dhe do të shpalosin para qytetarëve argumentet se për se duhet votuar BDI-ja.
Ata u shprehën të bindur që kësaj radhe fitorja e Bashkimit Demokratik për Integrim do të jetë më e madhe se në ciklet e kaluara zgjedhore.