Bejta: Me zhvillimin e ekonomisë, do kthejmë rininë e Gostivarit

Gostivari do bëhet qendër e rëndësishme e biznesit, ka thënë në debatin parazgjedhor në RTVM2, Nevzat Bejta, kandidat i BDI-së për Gostivar.

“Me Zonën e lirë ekonomike që është paraparë të ndërtohet në Gostivar, dukshëm do ulim numrin e të papunëve, pasi tashmë në Gostivar, janë hapur mbi 70 ndërmarrje të mëdha me qindra të punësuar, ndërsa kemi paralajmërime edhe për hapje të bizneseve të shumta të mëdha”, është shprehur Bejta, ndërsa ka siguruar përmirësimin e ekonomisë, duke u krijuar kushte lehtësuese biznesit, si lehtësim të tatimeve, rregullimin e infrastrukturës dhe të tjera.

Ai ka siguruar se me zhvillimin e ekonomisë, do kthehen edhe të rinjtë e Gostivarit nga vendet e BE-së. “Në Gostivar, me planin gjeneral që bëmë në fillim të mandatit, mundësuam shumë kompani dhe biznese të mëdha sot të funksionojnë si mos më mirë”, është shprehur Bejta.