Berisha: Nëse prekni Kosovën, bashkojmë trojet shqiptare

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur ditën e sotme në Parlament për çështjen e Kosovës. Berisha është treguar i ashpër me qeverinë për politikat e jashtme.

Ai ka thënë se shqiptarët respektojnë paqen dhe ligjet ndërkombëtare, por nëse preket Kosova nga serbët, atëherë shqiptarët do të reagojnë si një komb i vetëm dhe do të bashkojë të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë.

Ai akuzoi Ramën se reagoi 24 orë me vonesë për trenin serb dhe se u fut nën jorgan. Gjithashtu, Berisha tha se një diplomat i huaj i ka thënë se Rama ka marrëveshje me Vuçiçin.
“Nuk kishte qëndrim më të turpshëm se ai i ekzekutivit shqiptar, në një moment që mund të shpërthente lufta. U fut nën jorgan dhe reagoi pas 24 orësh. Një diplomat i huaj më thoshte se ka mundësi të ketë një marrëveshje mes tij dhe Sandrit (Vuçiç)”, tha Berisha.

“Ne ndaj çdo agresioni ndaj shqiptarëve, do të reagojmë si një komb i vetëm. Ne respektojmë paqen, por në qoftë se vini me agresion, do t’u përgjigjemi me të gjitha mundësitë dhe mjetet tona.

Dua të bëj një saktësim te Ben Blushi. Jo bashkim me Kosovën, por të bashkohen të gjitha territoret shqiptare. A doni të hyni në këtë proces?! Të lopës janë ata?! Ne pranojmë paqen, Shqiptarët nuk do të jenë të humbur”, vijoi Berisha.

Sipas tij, Rama kërkon të prishë marrëdhëniet me SHBA-të dhe NATO-s, pas deklaratave për Trump, kur ishte ende kandidat për president.

Berisha lexoi edhe një dokument për armët bërthamore të NATO-s, ku Shqipëria sipas tij, para se Trump të bëhej President votoi pro, dhe kur Trump u bë President votoi kundër NATO-s dhe SHBA-ve, shkruan “Panorama”.