Besa dhe Aleanca do e mbështesin Zaevin

Bashkimi Demokratik për Integrim i është rikthyer konsultimeve partiake lidhur me pozicionin e saj pas takimit me presidentin Ivanov. Nga partia e Ahmetit nuk kanë ende qëndrim nëse do të mbështesin Zaevin me nënshkrime në marrjen e mandatit apo nëse do të mbeten në aleancë me Nikolla Gruevskin. Nga BDI-ja thonë se në tavolinë janë të gjitha pesë opsionet. Derisa partia e Ahmetit nuk ka ende qëndrim, dy partitë tjera lëvizja BESA dhe Aleanca për shqiptarët kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për Zaevin. Orhan Murtezani nga BESA thotë se përkrahja ndaj Zaevit për marrjen e mandatit duke mbledhur 61 nënshkrime nuk nënkupton që ata me automatizëm do të pranojnë të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme.

Si Lëvizje BESA jemi të gatshëm që të mbështesim LSDM-në për krijimin e një shumice parlamentare pa paragjykuar nëse do të jemi pjesë e Qeverisë së ardhshme ose jo meqë ende nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë në atë drejtim. Nuk duam të flasim për teza hipotetike. Të presim nëse LSDM-ja do të ndërmerr një iniciativë të tillë pastaj mund të flasim edhe për gjëra më konkrete – deklaroi Orhan Murtezani, BESA, njofton Alsat.

Qëndrim të njëjtë ndajnë edhe nga Aleanca për shqiptarët të cilët deklaruan se janë të gatshëm t’i japin mbështetje LSDM-së për formimin e shumicës por Qeveria e ardhshme si kusht duhet të ketë rregullimin e statusit të gjuhës shqipe.

Aleanca për shqiptarët është e gatshme që të japë nënshkrimet atij mandatari i cili nuk ka qasje refuzuese ndaj deklaratës së përbashkët të partive politike, gjegjësisht ky parim vlen edhe për mandatarin eventual nëse është ai i LSDM-së Zoran Zaev. Ne jemi të gatshëm të përkrahim qeverisjen vetëm me disa kushte të cilat janë pjesë e deklaratës por fillimisht do të kërkojmë që të votohet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe mandej do të përkrahim qeverisjen – tha Flakron Bexheti, Aleanca për shqiptarët.

Të heshtur vazhdojnë të mbeten dy deputetët e PDSH-së. Pas takimit të liderëve me presidentin Ivanov, kreu i LSDM-së Zoran Zaev u deklarua i bindur që do të formojë shumicën qoftë ajo me 62 ose 67 deputetë. (INA)