BESA dhe Aleanca rikonfirmojnë se do japin nënshkrimet për mandatarin e LSDM-së (VIDEO)

Lëvizja BESA dhe “Aleanca për Shqiptarët” konfirmojnë qëndrimet e tyre se do të japin nënshkrimet e deputetëve të tyre për LSDM-në që të merr mandatin. Dhënia e nënshkrimeve tanimë është çështje teknike, thotë Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA, duke shtuar se ata presin që t’i kontaktojë LSDM-ja. Mirëpo, Murtezani thekson se kjo mbështetje është vetëm për formimin e shumicës parlamentare, e nuk duhet kumtuar me automatizëm si pjesëmarrje në Qeveri.

“Ne edhe më herët kemi shprehur gatishmërinë që të mbështesim krijimin e një shumice parlamentare në Kuvend, ndërsa sa i përket çështjes së dhënies së nënshkrimeve, atë e shohim si një çështje teknike dhe gjithsesi se kur do të ndodhë, opinioni i gjerë do të jetë i informuar me kohë. Mirëpo, edhe një herë duhet ta potencoj që dhënia e nënshkrimeve për krijimin e shumicës parlamentare nuk nënkupton që ne me doemos do të jemi pjesë e asaj Qeverie”, tha Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA.

Nga koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”, gjithashtu rikonfirmojnë se mbesin në qëndrimet e njëjta, se do mbështesin LSDM-në për të marrë mandatin, duke theksuar se kjo nuk nënkupton medoemos mbështetje për Qeverinë, gjë për të cilën do të prononcohen varësisht nga rrjedha e bisedimeve.