BESA e vendosur për të rrëzuar Gruevskin, përkohësisht do të përkrahë edhe koalicion LSDM-BDI

“Nëse Lëvizja BESA do të ishte fituese, ne me Gruevskin nuk do të bënim qeveri edhe sikur t’i kenë 100 deputetë. Nuk bëjmë qeveri me kryeministër antishqiptar”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi. Sipas tij, as parimi i Badenterit nuk e përcakton se dy partitë fituese, shqiptare dhe maqedonase, duhet domosdoshmërisht të bëjnë koalicion dhe se gjithçka ka qenë një manipulim me opinionin nga Bashkimi Demokratik për Integrim, njofton portali Sakte.net

I pyetur se nëse do të pranonin eventualisht të hynin në një qeveri me LSDM dhe BDI, Gashi është shprehur se me figura si Ali Ahmeti, si Musa Xhaferri, me njerëz që janë të inkriminuar nuk do të pranonin të jenë pjesë e qeverisë së re të Maqedonisë.

“Por, ne do ta votonim një qeveri të tillë, me votat tona do të ndihmonim duke kërkuar zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Maqedoni. Por, me këtë BDI jo”, ka qenë i prerë Gashi. Deputetët e Lëvizjes BESA do të jenë në dispozicion të rrëzimit të së keqes, në këtë rast Nikolla Gruevskit”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, njëherit edhe deputet i ardhshëm i kësaj Lëvizje në Parlamentin e Maqedonisë.