BIA: Serbia po humb ndikimin te serbët e Kosovës

 

RTK ka arritur që ta sigurojë një dokument të organeve të sigurisë të Serbisë, i cili ka krijuar profile të disa politikanëve serbë të Kosovës.

Në esencë dokumenti në përgjithësi tregon shqetësimin që e ka Beogradi zyrtar për mungesën e një lidershipi më të qëndrueshëm të serbëve të Kosovës, lidership i cili, sipas tyre, nuk mund t’i shtyjë mjaftueshëm pretendimet e Qeverisë së Serbisë në Kosovë. Ekzistencën e këtij dokumenti e ka konfirmuar për RTK edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), por që nuk kanë dashur të pohojnë ose mohojnë vërtetësinë e saj.

Shqetësimet kryesore që shihen në këtë dokument janë mungesa e kuadrove profesionale e akademike që renditen tek Lista SRPSKA, por edhe për politikanët e tjerë, të cilët dokumenti i quan “rivalë të SRPSKA-s”, e ku bëjnë pjesë Sllobodan Petroviqi kryetar i SLS-së, Nenad Rashiqi kryetar i PSD-së, Oliver Ivanoviqi (në të cilin Beogradi ka më së paku besim) dhe Aleksandar Jabllanoviqi tashmë kryetar i PKS-së.

Në vijim po i japim disa nga profilet që janë dhënë në këtë dokument:

BRANIMIR STOJANOVIQI, në dokumentin serb të organeve të sigurisë, paraqitet si një i ri që ka pretendime të mëdha për t’iu prirë serbëve të Kosovës dhe atë me çdo kusht ta bëjë këtë. Megjithatë, STOJANOVIQI, nuk ka bagazh intelektual e autoritativ për ta bërë një gjë të tillë. Por, pengesa kryesore që BRanimir STojanoviqi nuk mund të jetë një lideri mi mirëfilltë i serbëve të Kosovës është se, “ai dyshohet si bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete të Kosovës dhe disa shërbimeve evropiane”. Sipas këtij dokumenti, Branimir Stojanoviqi është afruar shumë me qarqe të sigurimit të Kosovës në fillim të vitit 2014, pak muaj pasi u zgjodh kryetar i komunës së Graçanicës.

Branimir Stojanoviqi, përveç dyshimeve që ka lidhje me shërbimet sekrete të Kosovës, në shkurt të vitit 2014, me nismën e AKI-së, pati dhënë një intervistë për një medium të Kosovës, ku kishte folur shqip dhe kishte thënë se është i gatshëm që të punonte për zhvillimin e mëtejmë të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. E metë tjetër e madhe sipas këtij dokumenti, është se ai është i korruptuar dhe këtë e ka treguar në fillim të karrierës së tij si kryetar i komunës së Graçanicës. Stojanoviqi ka keqpërdorur fondet e komunës për të mira personale. Kështu ai ka ndërtuar shtëpinë e vet gjatë kësaj kohe. Beogradi zyrtar është i bindur se Branimir Stojanoviqi në rastin e parë do të pajtohet për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, por me kushtin që të jetë kryetar i Asociacionit të Komunave Serbe.

SLLOBODAN PETROVIQI sipas organeve të sigurisë së Serbisë profilizohet si një lider serb i Kosovës, i cili megjithëse ka bashkëpunuar shumë me “institucionet e përkohshme në Kosovë”, ka besueshmëri te serbët lokalë. Dokumenti thotë se Petroviqi ka inat të madh me liderët e SRPSKA-s dhe nuk është bashkëpunues me liderët e veriut. Petroviqi megjithëse është njeri i terrenit dhe e njeh mirë popullin serb në Kosovë, ai ka dëshirë të madhe të jetë serb elitar dhe merret shumë me tenis dhe shëndet personal.

PETROVIQI megjithëse shpeshherë ka treguar afërsi me politikanët shqiptarë të Kosovës, në momente të caktuara ka ditur që t’ua kthejë shpinën dhe të bëhet i dëgjueshëm tek Beogradi. Sipas këtij dokumenti ai quhet si “babai i shumicës së liderëve serbë të Kosovës”, duke marrë parasysh karrierën e tij të gjatë në politikë.

NENAD RASHIQI në dokument profilizohet si lider tejet i butë për të qeverisur me serbët e Kosovës. Madje, ai konsiderohet edhe si njeri që nuk i thotë askujt JO. Karakteri i butë i Rashiqit reflektohet edhe tek anëtarësia e partisë së tij, ku sipas dokumentit që e ka parë RTK, anëtarët e partisë së tij e shantazhojnë atë shpeshherë dhe shpesh ka dalje nga partia. Partia e Rashiqit konsiderohet si një “HAN”, ku hyn kushdo dhe dalin menjëherë!  Dobësi tjetër e Rashiqit është edhe fakti se ai është shumë i afërt me “institucionet e përkohshme të Kosovës”, siç quhen në dokument institucionet e Republikës së Kosovës.

ALEKSANDAR JABLLANOVIQI në këtë dokument quhet njeri kokëfortë dhe i përkulshëm vetëm para interesit ekonomik. Si djali i një politikani të vjetër serb, Aleksandar Jabllanoviqi, është projektuar si lider i serbëve të Kosovës, por karrierën e tij e shkatërruan protestat e shqiptarëve, kur u largua nga detyra e ministrit në Qeverinë e Kosovës në vitin 2015.

Këtë e pati shfrytëzuar më së miri Branimir Stojanoviqi, i cili kishte deklaruar në Beograd, se serbëve të Kosovës iu duhet një lider që vjen nga jugu i Ibrit dhe jo nga komunat veriore.

Jabllanoviqi ka autoritet të pazëvendësueshëm sidomos në Leposaviq dhe e keqja e tij më e madhe është se njihet si kuadër i vjetër i socialistëve, përkatësisht partisë që doli nga strukturat e socialistëve – partisë së Vulinit.

Jabllanoviqi nuk ka shumë përkrahje në komunat e tjera të Kosovës, e aq më pak në jug të Ibrit dhe kjo e bën atë të pafuqishëm.

BRATISLLAV NIKOLIQI konsiderohet si udhëheqës i fortë i serbëve të Kosovës, porse autoriteti i tij nuk e kalon Shterpcën. Ai ka arritur që të jetë një lider i pakontestueshëm, por ka një rrezik sepse sipas dokumentit dyshohet se mund të jetë i korruptuar. Madje, sipas organeve të sigurisë së Serbisë, ai është i gatshëm që “t’i blejë shumë politikanë në Beograd dhe Prishtinë”.

Sipas këtij dokumenti, e meta më e madhe e Bratislav Nikoliqit është se ai nuk ka ambicie të jetë lider i të gjithë serbëve të Kosovës, duke u frikësuar se do ta humbasë monopolin e përfitimit rreth Brezovicës.

Bratisllav Nikoliqi ka afërsi me shumë ndërkombëtarë në Kosovë.

SLLAVKO SIMIQI në dokument quhet si një “çun i lazdruar” që ka merak në skijim dhe nuk ka aspak pretendime politike. Ai nuk ka karakter prej politikani dhe lehtë është i thyeshëm. Nuk mund të jetë një lider i qëndrueshëm, porse është nga të vetmit serbë që ka dëgjueshmëri tek Beogradi zyrtar. Megjithatë, thuhet se edhe Sllavko Simiqi ka rrezik që të kthehet dhe t’iu bindet urdhrave të Prishtinës kur është në pyetje Forca e Armatosur e Kosovës.

Në dokumentin që RTK e ka siguruar, organet e sigurisë së Serbisë si politikan të denjë e shohin MOMÇILLO TRAJKOVIQIN, porse pengesa kryesore e tij është se ai nuk është shumë lojalë ndaj autoriteteve të Republikës së Serbisë.

Momçillo Trajkoviqi e njeh prej më shumë se 30 vitesh popullin serb në Kosovë, i njeh mirë proceset politike, por e ka humbur autoritetin tek gjeneratat e reja të serbëve në Kosovë.

Më tej për të thuhet se “do të ishte mirë që Qeveria e Serbisë ta afronte më shumë afër vetes Momën, sepse karriera e tij e gjatë do ta bënte atë liderin e munguar të serbëve të Kosovës”.