Bilanci i ortekut në Itali mbyllet me 29 të vdekur dhe 11 të mbijetuar

8 ditë nga tragjedia e ortekut të borës që përfshiu hotelin Rigopiano në provincën e Peskarës në Itali, janë mbyllur sot operacionet e shpëtimit në rekuperimin e të gjitha trupave të viktimave.

Bilanci zyrtar i kësaj tragjedie është 29 viktima e 11 persona të mbijetuar, mes të cilëve 4 fëmijë.

Pasditen  e 18 janarit kur orteku i borës shkatërroi strukturën e këtij hoteli, në të gjëndeshin 40 persona, 12 prej të cilëve punonjës.

Mes viktikave është dhe pronari i këtij hoteli si dhe një emigrant senegalez që punonte me kontratë sezonale.

Prokurorja Cristina Tedeschini e cila po heton mbi shkaqet e kësaj tragjedie ka deklaruar në konferencën e shtypit se “gjatë autopsisë së bërë ndaj 6 vktimave, është vërtetuar se shkaqet e vdekjes janë asfiksia, hipotermia si dhe dëmtimet fizike në trup.”

Gjithashtu prokuroja Cristina Tedeschini ka informuar se ndaj kësaj ngjarje ka nisur një hetim me akuzën e “tragjedisë së qëllimshme e vrasje të shumëfishtë”.

“Deri më tani, tha ajo nuk ka persona të hetuar, por prokuroria ka sekuestruar të gjitha telefonatat e kërkesat për ndihmë të bërë nga pronari e drejtori i hotelit.”

Mbi këtë tragjedi ka informuar gjatë ditës së djeshme në Dhomën e Senatit të parlamentit italian dhe kryeministri Paolo Gentiloni i cili është shprehur “krenar për punën e kryer nga 200 trupa në operacionet e shpëtimit në Rigopiano.”

“Është detyrë e qeverisë, tha ai, që të zbardhë dinamikën e plotë të kësaj tragjedie, e nëse ka pasur vonesa, do të punojmë për të hedhur dritë mbi gjithçka ka ndodhur.”

Hoteli me 4 yje i Rigopianos konsiderohej një nga strukturat më luksoze të turizmit të zonës, një vend unik për të kaluar pushimet dimërore të cilin e kishin zgjedhur dhe Marco, Jessica, Stefano, Pietro, Paolo Alessandro e të gjithë viktimat e tjera, por që atë pasdite të 18 janarit u shndërrua në parajsën e tyre të fundit.

/Oranews.tv/