Biznesmeni nga Fushë-Kosova ia numëron 90 mijë euro babait të vajzës së sëmurë (Video)

Fatime Uka është një 20 vjeçare nga Mitrovica e cila vuan nga sëmundja e cerozës së mëlçisë. Vajza ka nevojë për transplantim të cerrozës dhe operacioni kryhet në Gjermani, e që kap shumën 150 mijë euro.

Është biznesmeni nga Fushë-Kosova, Xhelal Gashi i cili ka treguar për “Indeksonline” se ai bashkë me miq të tij kanë arritur t`i mbledhin rreth 90 mijë euro për ta ndihmuar Fatimen.

Bashkë me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë prej 30 mijë eurove, Gashi ka thënë se janë mbledhur 120 mijë dhe mungojnë 30 mijë të tjera. Biznesmeni ka treguar që nuk e njeh vajzën familjarisht, thjeshtë ka shprehur vullnet që ta ndihmojë atë.

“Nuk e njoh as nuk e kam të familjes por kanë kërkuar ndihmë familja e saj pasi e kanë ditur se kam mundësi. E kam marrë iniciativën për t`i ndihmuar. Ajo është 20 vjeçare dhe është e sëmurë prej cerozës së mëlçisë. Ka nevojë ta bëjë transplantimin e cirrozës që bëhet në Gjermani dhe kushton 150 mijë euro. Më janë bashkangjitur shumë shokë e miq të mi dhe kemi kontribuar edhe ne me rreth 90 mijë euro, përveç Ministrisë që ka kontribuar me 30 mijë”, është shprehur Gashi për “Indeksonline”.

Ai ka sqaruar tutje se nesër në Fushë-Kosovë (24 nëntor) në Shtëpinë e Kulturës do të mbahet një koncert humanitar nga ora 18:00 dhe hyrja do të jetë 5 euro.

Gashi ka thënë se do të ndihmojnë edhe Vala me Ipko-n, andaj bashkërisht me paratë e mbledhura nga koncerti pritet që të mblidhet shuma prej 150 mijë euro.

“Ajo çdo sekond e ka jetën në rrezik dhe çdo cent për të është i madh. Nesër ia kemi organizuar një koncert humanitar në Shtëpinë e Kulturës në Fushë-Kosovë,ku do të marrin pjesë njerëz të estradës, hyrja është 5 euro. Na ka mundësuar komuna. Prej orës 18:00 nis koncerti. Shpresoj që ajo shumë nga koncerti, si dhe ajo e Valës dhe Ipkos të kontribuojnë dhe të mbërrihet shuma për ta nisur në Gjermani”, ka thënë ai.

Ndryshe, Xhelal Gashi është pronar i restorant “Pentagon” në Prishtinë, i cili ka apeluar tek të gjithë që kanë mundësi t`i ndihmojnë personat që kanë nevojë. /Indeksonline/