Biznesmeni shqiptar Lazim Destani: Diaspora të krijojë një fond investimesh. Çdo lek në atdhe, të bejmë bashkë tregun shqiptar!

Biznesmeni i njohur shqiptar, Lazim Destani , jeton në Maqedoni dhe i ka shpërndarë bizneset e tij në disa vende të botës. Ai ka qenë i ftuar i rëndësishëm në Samitin e Diasporës, duke folur për rolin e shqiptarëve jashtë, në zhvillimin ekonomik të vendit amë.

I pyetur nga dritare.net se çfarë mendon për këtë Samit të mbajtur në kryeqytetin shqiptar, biznesmeni i njohur tha se është me dobi të madhe për ekonominë e vendit që të krijohen mundësi takimi dhe diskutimi , mirëpo nëse nuk merren aksione konkrete këto iniciativa mbeten vetëm dëshirë vellazërore.

“Unë mendoj se palet e interesuara duhet të dëshmojnë se këto takime nuk janë vetëm shkëmbime mendimesh , por të paraqesin projekte me interes për zhvillim.” – tha Destani.

Pyetjes së dritare.net se çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të jetë më e hapur për investimet e shqiptarëve të diasporës, Destani iu përgjigj se institucionet shtetërore ose konkretisht ministria e Ekonomisë mund të udhëheqë një program të posaçëm për të ndihmuar zhvillimin e tregut për mundësi investimi nga diaspora, në mënyrë që shqiptarët jashtë trojeve ta kenë më të lehtë të hapin biznese në atdhe dhe kjo sipas tij duhet të bëhet përpara se t’ju kërkohet kompanive të huaja që të investojnë këtu.

Biznesmeni tha për dritare.net se një hap konkret do të ishte themelimi i një fondi investimesh, pse jo edhe një banke me kapital vetëm për shqiptarët jashtë trojeve, ndërsa u shpreh se duke patur një eksperiencë të gjatë në këtë fushë ka kontribuar në investime të konsiderueshme kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni dhe nga viti 2014 edhe në Shqipëri.
“Unë edhe personalisht si afarist në tregjet globale prej shumë vitesh po bëj përpjekje që potencialin e investimeve ta orientoj sa më shumë drejt tregjeve tona shqiptare.
Perëndimi na ka mësuar t’i besojmë fatit për të cilin punojmë. Jemi të gatshëm të luajmë rolin tonë për zhvillimin e ekonomisë së atdheut. Mbi të gjitha ne duhet të lidhim zhvillimin ekonomik me benefitet për njerëzit. Pasi ta kemi bërë këtë atëherë të rinjtë tanë do të kishin hapësirë të bollshme për të gjetur veten dhe të ardhmen e tyre brenda trojeve tona. Kështu njerëzit do të japin maksimumin, sepse këtu edhe do të marrin maksimumin. Është e mundshme, mund ta bëjmë!”- u shpreh Destani./ dritare.net