Bosch: Kosovës është dashur t’i hiqeshin vizat!

Robert Bosch, ish-ambasadori i Holandës tha se Kosovës duhej t’i hiqeshin vizat bashkë me Shqipërinë e Maqedoninë.

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch tha se Kosova është dashur ta merrte liberalizimin e vizave kohë më parë.

“Mund ta them këtë, se nuk jam më ambasador, sepse kur je ambasador nuk mund t’i thuash gjithmonë gjërat siç i mendon. Kosovës është dashur t’i jepej liberalizimi i vizave kohë më parë së paku në të njëjtën kohë me Shqipërinë e Maqedoninë”, tha ish-ambasadori holandez Bosch.

Këtë ai e tha gjatë një ligjërate të mbajtur në kolegjin ISPE për “Parandalimin e Migrimit të Parregullt”.

Valdet Hoxha, zëvendësministër i Punëve të Brendshme foli për emigrimin e qytetarëve të Kosovës në vitin 2014-2015 për të cilët tha se ishin diku rreth 70 mijë që kërkonin një jetë më të mirë.

“Në kohën të cilën po jetojmë, jo vetëm Kosova, po jetojmë në një botë dinamike ku në bazë të statistikave të fundit të organizatave botërore në fushën e migrimit, çdo i 33-i qytetar i botës është emigrant. Pra, kemi një dinamikë të re dhe mekanizmat tanë po i përshtaten kësaj dinamike”, tha Hoxha.

Hoxha përmendi se nga 70 mijë qytetarë të Kosovës që kanë emigruar nëpër vendet e BE-së, rreth 35 mijë janë kthyer.

“Kthimi i tyre po vazhdon, çdo muaj po kthehen nga 1000 mijë persona”, tregoi Hoxha.

Ndërsa Bosch foli edhe për angazhimin që në Kosovë t’i sjellë si investitorë kompanitë holandeze.

Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch tha se sa ka qenë në Kosovë është përkujdesur që kompanitë holandeze të vijnë dhe të investojnë në Kosovë dhe se ka qenë e vështirë për t’i bindur që të vijnë dhe të investojnë këtu.

“Kompanitë holandeze kanë thënë që është e vështirë të investohet aty, sepse ata kërkojnë profit të menjëhershëm”, tha Bosch.

Shërbimi për natyralizim dhe Imigrim nga Ministria e Sigurisë dhe Drejtësisë në Holandë, Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Austrisë dhe Agjencia Suedeze për Migrim së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë qenë partnerë të projektit “Fuqizimi i Institucioneve të Kosovës në Menaxhimin Efektiv të Migrimit” kohëzgjatja e të cilit është 30 muaj, nga 1 marsi i vitit 2016 deri më 31 gusht të vitit 2018.

Ky projekt synon që në aspektin më afatgjatë të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale të Kosovës në fushën e migracionit dhe azilit.

Prioritet u është dhënë ndërtimit të kapaciteteve në institucionet e Kosovës që merren me migracionin e përzier, azilin, parandalimin e migrimit të parregullt, ri-integrimin e të kthyerve dhe migracionin e rregullt./Kallxo.com