Botërori 2018/ Kuqezinjtë provojnë fatin me Italinë

Italia do të presë Shqipërinë në stadiumin e Palermos në përballjen kualifikuese të Kupës së Botës. Lajmi është konfirmuar nga Federata Italiane e Futbollit.
Sfida e 24 marsit të ardhshëm do të luhet në një arenë 36 mijë vendëshe, por në një zonë ku jetojnë pak shqiptarë.
Në stadiumin “Renzo Barbera” janë zhvilluar gjatë viteve të fundit përballjet kualifikuese me Bullgarinë dhe Azerbajxhanin. Vendndodhja e stadiumit në ishullin e Siçilisë e bën më të vështirë arritjen nga tifozët.
Mediat italiane më herët përmendën si variante edhe qytetet e Rexhio Emilias dhe Udines. Kjo do të jetë e përballja e dytë pas miqësores së 2 viteve më parë në Xhenova ku pjesa më e madhe e spektatorëve ishin shqiptarë.
Trajneri Shqipërisë, Gianni De Biasi, pak ditë më parë tha se janë më të motivuar për këtë takim, ndërsa ai i Italisë, Giampiero Ventura e vlerësoi si të rëndësishëm këtë takim. Italia është në vendin e dytë në grup në kuotën e 10 pikëve, 4 më shumë se Shqipëria që është e katërta.